Gazetari, Parim Olluri, ka lëshuar kritika të rënda në drejtim të liderëve opozitarë për qasjen e tyre “pasive” karshi Albin Kurtit dhe pushtetit aktual.
Gjatë debatit në emisionin “Pressing” në T7, Olluri ka deklaruar se opozita nuk mund të pretendojë fitoren duke qëndruar në komoditetin e Prishtinës, derisa kundërshtari i tyre politik është vazhdimisht në terren.
Olluri ka bërë një krahasim mes angazhimit të kryeministrit Kurti dhe liderëve të opozitës, duke thënë se këta të fundit kanë dështuar të prekin bazën e votuesve nëpër fshatra e nëndegë.
“Ne mediat kemi kritikuar Kurtin si i përdor resurset shtetërore për me bë fushatë zgjedhore, ndoshta edhe opozita ka të drejtë – por ata ish dasht me nejt në ndonjë fshat të Mitrovicës deri 3-4 të natës”, ka deklaruar Olluri.
Sipas Ollurit, një nga gabimet trashanike të opozitës është mungesa e guximit për të përmendur emra konkretë të përfshirë në korrupsion dhe mbyllja nëpër vende luksoze të kryeqytetit.
“Gabimi i opozitës është që ke kryetar partie që nuk ka vizitu degë e nëndegë. Nuk i përmendin emrat e përveçëm të njerëzve të korruptum. Nuk mundesh me luftu regjimin populist që një ditë para zgjedhjeve ia shpërndan qytetarëve vitra, nuk mundesh me e luftu pushtetin duke nejt në Noya”, u shpreh ai./Insajderi