Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin shpallen antikushtetuese 13 ligje të miratuara nga qeveria Kurti më 5 dhjetor 2024, ligje këto të kontestuara nga deputetët e grupit parlamentar të kësaj partie.
Nga PDK thuhet edhe se vendimi konfirmon se qeveria ka shkelur kushtetutën duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe funksionimin e komisioneve parlamentare.
“Ky vendim përbën një konfirmim të qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe funksionimin e komisioneve parlamentare. Aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike dhe jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti.