Gjymsëvjetori i dytë i vitit shkollor 2025/2026 nis sot në shumicën e shkollave në Kosovë, megjithatë disa komuna kanë vendosur ta shtyjnë fillimin e mësimit për shkak të kushteve atmosferike.
Si pasojë e motit të keq, reshjeve të dendura dhe përmbytjeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, komunat e Malishevës, Drenasit dhe Fushë Kosovës kanë marrë vendime për vonimin e nisjes së procesit mësimor.
Komuna e Malishevës ka njoftuar se mësimi do të rifillojë më 14 janar 2026, për shkak të vështirësive të shkaktuara nga reshjet dhe përmbytjet, të cilat kanë dëmtuar rrugët dhe kanë vështirësuar qarkullimin.
Edhe në Drenas, procesi mësimor është shtyrë deri të mërkurën, pasi kjo komunë po përballet me pasoja të mëdha nga moti i keq, përfshirë dëmtime në objektet shkollore dhe në infrastrukturën rrugore.
Ndërkohë, Komuna e Fushë Kosovës ka bërë të ditur se gjysmëvjetori i dytë në të gjitha shkollat e kësaj komune do të fillojë më 19 janar 2026.
Në dallim nga këto komuna, në pjesën më të madhe të vendit mësimi do të fillojë sot. Komuna e Prishtinës ka konfirmuar se të gjitha shkollat janë të hapura dhe se janë siguruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor, si dhe për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.