Qytetarët e fshatit Radavc, në afërsi të burimit të Drinit të Bardhë, kanë mbetur pa energji elektrike për gati 24 orë.
Banorët shprehen të revoltuar me KEDS-in, duke thënë se kompania nuk po u përgjigjet ankesave të tyre.
Rifat Muriqi, banor i kësaj zone, ka deklaruar për Insajderin se ndërprerjet e energjisë elektrike janë të shpeshta dhe se problemet me rrjetin janë të vjetra.
“Që nga dje nuk kemi rrymë. KEDS është shumë i papërgjegjshëm. Erdhi ekipi, e pa gjendjen dhe u largua, por prapë nuk kemi energji. Kemi kërkuar tash e dy-tre vjet që të rregullohet një linjë afër nesh, e cila është e dëmtuar dhe e kalbur, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë Muriqi.
Sipas tij, energjia është ndërprerë që nga ora 17:00 e ditës së djeshme, ndërsa problemi përsëritet sa herë që fryn era.
“Sa herë ka erë, ata e ndalin rrymën me arsyetimin për të shmangur defektet dhe nuk merren fare me faktin nëse dikush mbetet pa energji apo jo. Nuk jemi të kënaqur me KEDS-in në rajonin e Pejës. Zona e Radavcit rreth 30 për qind të vitit është pa rrymë”, ka shtuar ai.
Muriqi thekson se arsyetimi i vazhdueshëm i KEDS-it janë ‘punimet në rrjet’, por sipas tij, këto punime nuk po sjellin asnjë përmirësim.
“Gjithmonë thonë se po punojnë në rrjet, por në realitet nuk rregullohet asgjë. Nuk jemi në shekullin e 19-të që të jetojmë pa energji elektrike”, ka përfunduar ai.