Insajderi
Lajme

Gjendja e rëndë e rrugëve në fshatrat e Podujevës – Banorët ankohen se nuk ka dal t’i pastrojë askush, komuna e Bulliqit pa përgjigje

Insajderi
13 January 2026 - 14:30
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gjendja e rëndë e rrugëve në fshatrat e Podujevës – Banorët ankohen se nuk ka dal t’i pastrojë askush, komuna e Bulliqit pa përgjigje
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta kanë përkeqësuar gjendjen e rrugëve në disa fshatra të Podujevës, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm. Banorët ankohen se rrugët nuk janë pastruar dhe se mungon ndërhyrja e komunës. Ndërkohë, nuk dihet se cila kompani është përgjegjëse për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Nga kjo komunë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Gazeta Insajderi

Rrugët në disa fshatra të Komunës së Podujevës vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë si pasojë e borës dhe akullit, ndërkohë që qytetarët ankohen se askush nuk ka dalë për pastrimin e tyre.

Banorë nga fshatra si Gllamnik, Sveçël, Buriqë, Llapashticë, Konushefc, por edhe zona të tjera, thonë se qarkullimi me vetura është bërë jashtëzakonisht i vështirë, duke mbetur shpesh të bllokuar në akull, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes.

“Rruga është komplet e mbuluar me akull, veturat nuk mund të kalojnë dhe rreziku për aksidente është i madh. Askush nuk ka ardhur për ta pastruar,” kanë deklaruar disa banorë.

Gjendja në një rrugë në fshatin Llapashtic. Pamjet janë publikuar nga Xhemajl Hasani, ku pretendohet se nje banor është detyruar ta hap rrugën me traktor në mungesë të kompanive nga komuna.

Një faqe lokale ka publikuar pamje nga fshati Sveqël i kësaj komune, ku ishte shkaktuar edhe aksident si shkak i rrugëve me akull.

Edhe banorët e fshatit Buricë të Podujevës janë ankuar se askush nuk ka dal për pastrim të rrugëve.

Sipas tyre gjendja vetëm po përkeqësohet dhe kalimi me vetura është vështirësuar.

Rruga Lluzhan – Orllan, poashtu e papastruar dhe vështirë e qarkulluar nga akulli e bora.

Lidhur me këtë situatë, Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje te Komuna e Podujevës, për të sqaruar se cila kompani është përgjegjëse për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në këto fshatra dhe pse nuk është ndërhyrë deri më tani. Megjithatë, komuna deri në publikimin e këtij teksti nuk ka kthyer përgjigje.

Sipas faqes në Eprokurim me 23 dhjetor të vitit 2025 komuna e Podujevës kishte publikuar njoftimin për kontratë, për mirëmbajtjen e rrugëve dimërore, në fshatra dhe qytet, por mungon njoftimi nëse kontratat janë nënshkruar.

Ndërkohë nuk dihet cila kompani është përzgjedhur dhe mban përgjegjësi për gjendjen aktuale të rrugëve. Insajderi.org


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark