Gjyqtari amerikan Dean Pineles në një shkrim autorial të botuar në ‘Balkan Insight’ ka shkruajtur lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale për refuzimin e kërkesës së mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK’së për mbajtjen e një seance dëgjimore të posaçme lidhur me dënimin ndaj tyre.
Sipas Pineles, një vendim i këtillë mund të ketë pasoja serioze në vendosjen e drejtësisë, si dhe në shoqërinë kosovare, përcjell Gazeta Insajderi.
“Vendimi – fajtor, i pafajshëm ose kombinim – do të jehojë në të gjithë Ballkanin, Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe madje edhe në Lindjen e Mesme, ku si Izraeli ashtu edhe Siria e njohin Kosovën. Dhe do të ketë implikime të mëdha brenda shoqërisë së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e tij.
Pos tjerash, ai ka ndarë edhe nga përvoja e tij si gjyqtar për më shumë se 22 vite në Vermont të SHBA’ve, ku thotë se mbajtja e një seance të posaçme lidhur me vendimin nuk ka qenë asnjëherë problem.
“Në SHBA, pothuajse gjithmonë ka një procedurë të veçantë dënimi në raste serioze. Dhe në përvojën time personale si gjyqtar i gjykimit penal në shtetin tim të Vermontit për 22 vjet, kam dënuar qindra persona që kishin kryer krime të rënda. Nuk ishte e pazakontë për mua të bindesha, në një mënyrë ose në një tjetër, nga argumentet gojore të paraqitura në një seancë të veçantë dënimi”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e tij editorial.
Gjyqtari amerikan tutje shton se gjithashtu ekziston edhe interesim i madh i publikut për këtë çështje.
“Lejimi i një procedure të veçantë në gjykatë të hapur do të ishte në interesin publik duke i lejuar publikut të dëgjojë në kohë reale argumentet specifike të mbrojtjes. Në një rast të këtij famëkeq, është thelbësore që vendimet e gjykatës të jenë të drejta dhe të shihen si të drejta”, thotë ai.
Shkrimin e tij editorial, të plotë, në gjuhën angleze mund ta gjeni në mediumin Balkan Insight