Insajderi
Lajme

“Qumësht me aflatoksinë”- Braçe shpërthen: Lufra po shkatërron fermerët, favorizohet nga qeveria

Insajderi
15 January 2026 - 10:11
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Qumësht me aflatoksinë”- Braçe shpërthen: Lufra po shkatërron fermerët, favorizohet nga qeveria
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Deputeti socialist Erion Braçe ka publikuar denoncimin e një grupi fermerësh nga zona e Myzeqesë, të cilët ndodhen në prag të falimentit për shkak të praktikave që ai i cilëson si të padrejta nga ana e kompanisë së përpunimit të qumështit, Lufra.

Në një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar Braçes, fermerët shprehen se kompania fillimisht ka ulur ndjeshëm çmimin e grumbullimit të qumështit, ndërsa tani po refuzon ta marrë atë duke përdorur si justifikim praninë e aflatoksinës.

Sipas tyre, kjo situatë po i nxjerr nga tregu dhe po i çon drejt shkatërrimit ekonomik.

Braçe e cilëson këtë si një krizë të paralajmëruar, duke theksuar se rrënjët e problemit lidhen me politikat fiskale dhe ekonomike të ndjekura nga qeveria. Ai thotë se skema aktuale e TVSH-së dhe aksioni kundër informalitetit kanë favorizuar importin dhe fabrikat e mëdha, ndërsa kanë dëmtuar prodhuesit vendas dhe blegtorët.

“Skema e TVSH-së favorizon importin. Këtë e kam paralajmëruar që në fund të vitit të kaluar. Aksioni kundër informalitetit, që supozohej të rriste sigurinë ushqimore, u përdor nga fabrikat e mëdha për të shkatërruar baxhot, segmentin e mesëm të tregut,” shkruan Braçe.

Sipas tij, pas rrënimit të baxhove, tregu ka mbetur vetëm me dy palë: fermerët dhe fabrikat. Në këto kushte, fermerët nuk kanë më alternativa dhe detyrohen të shesin me çmimet që u imponohen ose të mbeten me produktin e pashitur.

“Kur u thonë se qumështi ka aflatoksinë, ku duhet ta çojnë? Po fabrikat me çfarë po prodhojnë? Me gjasë kanë gjetur lëndë të parë nga importi, i cili është i favorizuar si nga TVSH-ja, ashtu edhe nga kursi i monedhës,” shton deputeti.

Ai akuzon politikëbërësit se janë të shkëputur nga realiteti i fshatit shqiptar dhe nuk e kuptojnë dramën e fermerëve që përpiqen të mbijetojnë nga blegtoria.

“Një prodhues i përgjegjshëm nuk i braktis blegtorët në këtë mënyrë. Kjo është një krizë e rëndë dhe një turp i përbashkët,” shkruan Braçe në postimin e tij.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark