Insajderi
Analiza

“Probleme shëndetësore në masë”, biznesmeni i futur në Listë të Zezë me akuza të rënda për Ujësjellësin Prishtina

Insajderi
20 January 2026 - 15:27
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Probleme shëndetësore në masë”, biznesmeni i futur në Listë të Zezë me akuza të rënda për Ujësjellësin Prishtina
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pretendoi se kimikatet mund të shkaktonin “probleme shëndetësore në masë”, akuzoi Ujësjellësin e Prishtinës për tenderë të kurdisur dhe favorizim kompanish — por përfundoi në Listë të Zezë, i shpallur nga OSHP si operator që tentoi të mashtrojë autoritetin kontraktues.

Gazeta Insajderi

Një betejë ligjore dhe administrative mes një operatori ekonomik dhe KRU Prishtina ka kulmuar me futjen e biznesit në “listën e zezë” dhe akuza tronditëse për rrezikim të shëndetit publik përmes tenderëve të kurdisur.

Procesi i prokurimit për “Furnizim me kemikate për trajtimin e ujit” nisi zyrtarisht më 8 maj 2025. Ky aktivitet, me një vlerë të parashikuar prej mbi 1 milion euro, u nda në disa pjesë (lote) për të siguruar substancat e nevojshme për pikat e prodhimit në Batllavë, Badoc dhe Shkabaj.

Nga ky tender, disa kontrata tashmë janë nënshkruar me operatorë të tjerë:

Seykos SH.P.K. u shpërblye me dy kontrata: njëra në vlerë prej 403,200 eurosh (për klor gaztë dhe hipoklorur) dhe tjetra prej 324,000 eurosh (për sulfat alumini)

Dhe,CMC GROUP SH.P.K. nënshkroi kontratën për polielektrolit anjonik në vlerë prej 18,900 eurosh.

Përplasja nisi te Loti 4 (Dioksid Klori), ku biznesmeni Samet Mestani u shpall fitues. Megjithatë, ai refuzoi të nënshkruante kontratën, duke pretenduar se institucioni po kërkonte produkte që nuk përputheshin me ofertën e tij.

Ai ka deklaruar tekstualisht: “Ne si kompani nuk mund ta firmosim një kontratë për furnizim me kimikate për trajtim të ujit që mund të shkaktoj probleme shëndetësore në masë”.

Përveç alarmit për “probleme shëndetësore në masë”, Mestani ngriti akuza të rënda se KRU Prishtina po përshtat kriteret për të favorizuar një grup të ngushtë kompanish. Ai deklaroi para Panelit se kërkesa për diskualifikimin e tij ishte një veprim i qëllimshëm “në interes të disa kompanive tjera që zakonisht shpërblehen me kontrata në këtë Autoritet Kontraktues”. Sipas tij, ky proces prokurimi ishte një përpjekje për të mbajtur jashtë operatorët e tjerë përmes specifikacioneve teknike të “kopsitura”.

Pavarësisht pretendimeve të biznesmenit, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e vlerësoi veprimin e tij si “tentim për të mashtruar autoritetin kontraktues”. Paneli konstatoi se Mestani nuk ofroi asnjë provë konkrete për rrezikun shëndetësor dhe se dilemat i ngriti vetëm pasi u shpall fitues12.

Si pasojë, Samet Mestani B.I. është diskualifikuar zyrtarisht për një periudhë prej tre muajve, nga 14 janar 2026 deri më 14 prill 202613. Gjatë kësaj kohe, atij i ndalohet çfarëdo aplikimi, ankesë apo veprim tjetër në të gjithë ciklin e prokurimit publik në Kosovë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark