Insajderi
Lajme

Ekskluzive | Dosja e Prokurorisë për rastin e lejeve të dyshimta për armë

Insajderi
20 January 2026 - 16:04
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ekskluzive | Dosja e Prokurorisë për rastin e lejeve të dyshimta për armë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

​Një hetim i koduar “Veterniku” ka zbuluar një skemë korruptive brenda Departamentit për Siguri Publike në MPB. Besim Haziri dhe Sanije Behrami, anëtarë të komisionit shtetëror, dyshohen se në këmbim të ryshfetit kanë lëshuar certifikata për armë pa i nënshtruar kandidatët asnjë testi apo trajnimi.

Shteti u besoi atyre sigurinë e qytetarëve, por dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dyshohet se e kthyen ligjin në biznes personal.

Besim Haziri, kryesues i komisionit për dhënien e provimit profesional për armë, dhe Sanije Behrami, anëtare e këtij komisioni, ndodhen nën pranga nën akuzën e rëndë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

​Sipas dokumenteve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të cilat i posedon Insajderi, kjo dyshohet se ishte një “industri” e mirëfilltë ku certifikatat për aftësim teorik dhe praktik për armë zjarri prodhoheshin në tavolinat e MPB-së, pa u shkrepur asnjë plumb dhe pa u hapur asnjë libër.

Prokuroria ka dokumentuar rastin e datës 22 dhjetor 2025, ku nën masa të veçanta hetimore, u vërtetua se si për vetëm 600 euro, një personi iu siguruan tri certifikata për armë të ndryshme (armë e gjatë me vjaska, pa vjaska dhe armë e shkurtër).

Roli i Besim Hazirit dhe Sanije Behramit

Sipas dosjes së siguruar nga Insajderi, dy zyrtarët e Departamentit për Siguri Publike në MPB, Besim Haziri dhe Sanije Behrami, dyshohen se kanë shpërdoruar pozitat e tyre zyrtare për të mundësuar pajisjen me certifikata për armë zjarri pa asnjë procedurë ligjore.

Besim Haziri, në cilësinë e kryesuesit të komisionit profesional, dhe Sanije Behrami, si anëtare e këtij komisioni, ishin përgjegjës për vërtetimin e aftësimit teorik dhe praktik të kandidatëve për armë.

Megjithatë, Prokuroria pretendon se ata kanë nënshkruar certifikata për persona që nuk u janë nënshtruar fare testimeve.

Sipas dosjes, Haziri dhe Behrami kanë lëshuar certifikatat me numra serialë 6068/25, 7566/25 dhe 6294/25 me datë 16 dhjetor 2025, duke konfirmuar rrejshëm se kandidatët kanë kaluar testet në Departamentin për Siguri Publike.

500 deri në 600 euro për një “shërbim” të paligjshëm

Hetimet e krimeve ekonomike zbulojnë se kjo dyshohet të jetë një skemë e mirëfilltë korruptive ku zyrtarët e MPB-së kanë bashkëvepruar me menaxherët e poligonit. Në dosje specifikohet se shumat e pranuara si ryshfet silleshin nga 500 deri në 600 euro për person.

Në njërën nga ngjarjet e dokumentuara me masa të fshehta, dëshmitari (burimi i koduar) ka pranuar certifikatat e nënshkruara nga zyrtarët e MPB-së pa shkelur fare në zyrat e tyre apo në poligon për test.

Prokuroria thekson se këta zyrtarë kanë vepruar me dashje direkte për të përfituar dobi pasurore për vete dhe për të tjerët.

Përveç dëshmive të burimeve, Prokuroria posedon: Transkriptet e bisedave ku flitet për shumat e parave dhe “kryerjen e punës” brenda dy javësh, CD me video-incizime të ndjekjes dhe dorëzimit të dokumenteve të siguruara nga MPB, dhe raportet e kontrollit ku u gjetën dosje të kandidatëve që dyshohet se u trajtuan në formë të njëjtë korruptive.

Për këtë rast, përpos zyrtarëve të MPB-së, të arrestuar janë edhe Faton Gërbeshi dhe Mehmet Gërbeshi, të cilët po ashtu po mbahen në ndalim me urdhër të prokurorit.

Prokurori i rastit ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, duke argumentuar se lirimi i tyre do të rrezikonte procesin hetimor dhe do të lejonte asgjësimin e provave zyrtare në MPB.

“Zyrtarët kanë pasur qasje në dokumente zyrtare dhe ekziston rreziku real se ata mund të koordinojnë deklaratat e tyre me qëllim që t’i shmangen përgjegjësisë penale,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Megjithatë, gjykata ka vendosur masën e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarve./Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark