Inspektorati Shëndetësor ka ndëshkuar me gjobë klinikën privat “Euromed Group SH.P.K”, pronë e biznismenit Leart Jakupi. Pas një inspektimi, u zbulua se klinika lëshonte rezultate analizash pa prezencën e specialistëve përkatës dhe ushtronte veprimtari në shkelje të ligjit.
Gazeta Insajderi
Një inspektim nga Inspektorati Shëndetësor ka nxjerrë në pah parregullsi të rënda brenda institucionit shëndetësor “Euromed Group SH.P.K”, i cili ndodhet në Fushë Kosovë , i themeluar nga Leart Jakupin.
Sipas vendimit që ka siguruar Insajderi, Inspektorati ka shqiptuar një gjobë prej 1,000 eurosh ndaj këtij subjekti, pasi u vërtetua se klinika ushtronte veprimtari pa plotësuar kushtet specifike të parashikuara me ligj sa i përket hapësirës, kuadrit profesional dhe pajisjeve medicinale.

Rezultatet e laboratorit lëshoheshin nga laboranti, pa specialistin
Gjithçka nisi pas një ankese. Aty thuhet se në laboratorin e Leart Jakupit lëshoheshin rezultate biokimike vetëm nga tekniku, pa prezencën e specialistit të Biokimisë Klinike.
Gjatë inspektimit të kryer në qershor të vitit 2025, inspektorët vërtetuan se rezultatet e laboratorit lëshoheshin vetëm me faksimilen e laborantit, pa vulën e biokimistit.
U gjetën rezultate të analizave mikrobiologjike, shërbim ky i cili nuk ishte fare i lajmëruar në Drejtorinë e Licencimit (DLA).
Dokumenti zbardh edhe një situatë mes dy institucioneve, “Euromed Group SH.P.K” dhe spitalit special “Siado L.L.C”, të cilat ndajnë të njëjtën administratë dhe recepsion.

Për më tepër, në sistemin online të Ministrisë së Shëndetësisë u zbulua se për këtë njësi ishte miratuar largimi i biokimistit, duke lënë laboratorin pa kuadrin e domosdoshëm profesional që kërkon ligji për të operuar.
Për shkak të këtyre shkeljeve të nenit 40 dhe 42 të Ligjit për Shëndetësi, Inspektorati ka vendosur masën e “Ndërprerjes së përkohshme të veprimtarisë” deri në sanimin e gjendjes./Gazeta Insajderi/