Pas 39 arrestimeve për dëmet e fryra të aksidenteve, një raport zyrtar i auditimit të brendshëm zbulon edhe një skemë tjetër shumë më të thellë: transferime të parave në llogari private të punonjësve, pagesa të dyfishta, qarkullim masiv kesh-i dhe dyshime për “pagë të dytë” brenda Byrosë Kosovare të Sigurimit — një dosje që, ndryshe nga rasti i ish-drejtorit të arrestuar, po mbahet e bllokuar nga heshtja e BKS-së dhe trajtimi formal i Bankës Qendrore me të ashtuquajtura masa administrative
Visar Duriqi
Derisa bota po çuditej me arrestimin e Presidentit të Venezuelës me një urdhër të Donald Trump, janari i ftohtë në Kosovë u ngroh nga një operacion i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e drejtuar nga Kryeprokurori Petrit Kryeziu. Në pranga ranë 39 persona për një aferë financiare me dëme të përllogaritur prej mbi 1.3 milionë eurosh.
Epiqendra e skandalit: Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), e ku u prangos edhe ish-drejtori ekzekutiv Sami Mazrekaj dhe ish-drejtori i financave Valon Berisha. Në publik, ky operacion u interpretua si fundi i një epoke të errët korrupsioni. Por, ndërsa Prokuroria në Prizren ka ndërtuar dosjen voluminoze për “Çështjen 1″—shpenzimet e pajustifikuara në pagesat e dëmeve—një tjetër skandal, i koduar po aq thjeshtë si “Çështja 2”, po mbahet me forcë në “reanimacion” institucional.
Pyetja që sot kërkon përgjigje është e thjeshtë: Pse arrestimet u ndalën vetëm te dëmet e fryra të aksidenteve dhe nuk prekën skemën e transferimit të parave direkt në llogaritë private të punonjësve? A po përdoret dënimi i “grupit të Mazrekajt” si mburojë për të shpëtuar një rrjet tjetër, ndoshta më të sofistikuar, që vazhdon të jetë aktiv brenda BKS-së?
Dokumenti 501/24: Dëshmia që nuk mund të asgjësohet
Gjithçka buron nga një dokument zyrtar që Insajderi e posedon. Me datë 24 shkurt 2025, Komiteti i Auditimit të Brendshëm të BKS-së, i kryesuar nga Fitim Rexhepaj, nxori Vendimin nr. 501/24. Ky dokument nuk ishte thjesht një procedurë burokratike; ishte një alarm i kuq i lëshuar nga brenda institucionit.
Komiteti aprovoi Raportin e Auditimit për periudhën janar 2019 deri në qershor 2024. Aty, në pikën II, rekomandohet Asambleja e Përgjithshme që të përcjellë në “organet kompetente” dy çështje specifike që kanë shkelje të dispozitave ligjore:
•”Çështja 1″: Shpenzime të Pajustifikuara në Pagesat e Dëmeve—për të cilën tashmë kemi 39 të arrestuar.
•”Çështja 2″: Transferimi i Mjeteve në Llogaritë Private të Punonjësve dhe Përdorimi i Transaksioneve me Kesh për Shpenzime Operative për Periudhën 2019-2023.
“Paga e dytë”: Si funksiononte makineria e kesh-it?
Burime të afërta me hulumtimin bëjnë me dije se “Çështja 2” fsheh një metodë zhvatjeje që sfidon çdo rregull të kontrollit financiar. Dyshohet se gjatë pesë viteve, punonjës të caktuar kanë pranuar pagesa të dyfishta në llogaritë e tyre bankare. Por ky dyshohet se nuk ishte një gabim njerëzor apo teknik.
Skema funksiononte përmes një marrëveshjeje të heshtur: punonjësi pranonte pagën e dytë dhe më pas, një pjesë të konsiderueshme të saj e kthente mbrapsht te eproret në “kesh” (para të gatshme). Ky qarkullim e bënte pothuajse të pamundur ndjekjen e parave pasi ato dilnin nga sistemi bankar, duke krijuar një “fond të zi” që përdorej jashtë çdo pasqyre financiare të BKS-së. Fakti që auditimi ka gjetur përdorim të kesh-it edhe për “shpenzime operative” vetëm sa e përforcon dyshimin se institucioni funksiononte si një bankomat privat për një grup të caktuar njerëzish.
BQK dhe lojërat me “Masa Administrative”
Kur Insajderi kërkoi sqarime nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) se pse kjo dosje nuk ka prodhuar veprime ligjore, ky institucion u përgjigj zyrtarisht duke thënë: “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në zbatim të objektivave dhe mandatit të saj ka ndërmarrë veprimet e nevojshme sipas kompetencave ligjore, përmes mekanizmave të saj institucionale, përkatësisht kryerjes së ekzaminimit, dhënies së rekomandimeve si dhe masave korrigjuese administrative sipas kompetencave ligjore.”
Këtu lind kontradikta e madhe: Nëse një auditim gjen transferime të dyshimta të mjeteve në llogari private—një vepër që ngrit dyshime për keqpërdorim—si mundet që rregullatori ta mbyllë këtë me “masa administrative”?
Më tej, BQK rezervohet të komentojë me arsyetimin se çështja është nën hetim. Por, cilat organe po e hetojnë? BKS nuk ka ofruar asnjë numër protokolli që dëshmon dorëzimin e “Çështjes 2” në Prokurori, ndryshe nga “Çështja 1” që tashmë ka prodhuar rast penal.
Në anën tjetër, Byroja Kosovare e Sigurimit ka zgjedhur të mbrohet me heshtje; deri më sot, kur po publikojmë këtë artikull, ky institucion ka plot 7 ditë që nuk kthen asnjë përgjigje në pyetjet tona të dërguara më 19 janar.
Heshtja që mbron menaxhmentin aktual
Ekziston një dyshim i bazuar se “Çështja 2” po mbahet e mbyllur sepse listat e pagesave të dyfishta janë një “listë e zezë” për menaxhmentin që erdhi pas Mazrekajt. Dyshohet se në këto lista figurojnë zyrtarë që sot mbajnë pozita kyçe, prandaj dorëzimi i raportit në Prokurori do të ishte problem serioz për funksionimin e Byrosë. /Insajderi.org/