Avokati i njohur Taulant Hodaj do të jetë kandidat për president të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke hyrë zyrtarisht në garë për postin më të lartë të futbollit kosovar.
Burime të sigurta, të afërta me Hodajn, i kanë thënë Gazetës Express se zyrtarizimi i kandidaturës së tij pritet të ndodhë brenda dy ditësh.
Taulant Hodaj, i cili për një periudhë ka shërbyer si ushtrues detyre i sekretarit general të Federatës së Futbollit të Kosovës, do ta rivalizojë presidentin aktual të FFK-së, Agim Ademin. Dyshja kanë bashkëpunuar më parë ngushtë brenda këtij institucioni, përpara se rrugët e tyre të ndaheshin.
Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës është paraparë të mbahet më 5 shkurt. Megjithatë, në rast se statuti nuk harmonizohet, ky kuvend mund të shtyhet ose të shpallet i pavlefshëm nga Ministria e Sportit.