Insajderi
Analiza

Shembja e rrugës që bëri horë pushtetin e PDK’së në Ferizaj- Në Jezerc kishte humbur jetën nga aksidenti shoferi i firmës që e ndërtoi këtë rrugë

Insajderi
29 January 2026 - 15:46
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Shembja e rrugës që bëri horë pushtetin e PDK’së në Ferizaj- Në Jezerc kishte humbur jetën nga aksidenti shoferi i firmës që e ndërtoi këtë rrugë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shembja e rrugës së Jezercit të Ferizajt shpërfaqi cilësinë e dobët të punimeve të kompanisë së famshme për tenderomani në Kosovë, “Bageri”, me pronar Bujar Shabanin. Në të njëjtën rrugë, kishte ndodhur një fatkeqësi. Rizah Hasani, bagerist në firmën e Bujar Shabanit, në moshë të re kishte humbur jetën në të njëjtën rrugë teksa po bartte material ndërtimor.

Puna neglizhente e kompanisë “Bageri’ shpërfaqi cilësinë e dobët të rrugës së shtruar në Jezerc të Ferizajt. Pa mure mbrojtëse, çarje rruge e shembje, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas ankesave të publikuara nëpër mediat lokale të Ferizajt, trashësia e asfaltit në rrugën e dëmtuar thuhet se është vetëm rreth 3 centimetra.

Në të njëjtën rrugë, kishte ndodhur një tragjedi. Rizah Hasani, teksa po barte material ndërtimor për firmën “Bageri” kishte humbur jetën

Për rastin pati folur vëllai i tij, Vëllai i Rizah Hasanit, Valon Hasani, tha se familja e tij kanë dyshuara të mirë-bazuara në fakte se kamioni i cili po e ngiste ishte i mbi-ngarkuar me material ndërtimor.

Valon Hasani në një intervistë ekskluzive për Insajderin shtoi se kur ka qenë prezent në vendngjarje, ka parë që është modifikuar kamioni me të cilën humbi jetën vëllai i tij, Rizah Hasani.

Pos tjerash, ai është ankuar për neglizhencë nga ana e Policisë dhe Prokurorisë lidhur me rastin. Siç thotë ai, kur i ka kërkuar prokurorit të rastit ta hetojë çështjen e kamionit, ky i fundit ka thënë se s’mund të bëhet një gjë e tillë meqë materiali ndërtimor është derdhur gjatë aksidentit.

Gazeta Insajderi ka parë aktvendimin e Prokurorisë për pushimin e hetimeve ndaj multimilionerit Shabani, të nxjerrë para më shumë se dhjetë ditësh. Në aktvendim shfajësohen Bujar Shabani dhe i biri i tij, Leutrim Shabani.

Aktvendimi i referohet një super-ekspertize të datës 30 shtator të vitit të kaluar mbi ekzaminimin e gjendjes teknike të kamionit të aksidentuar, që ia mori jetën Rizah Hasanit. Super-ekspertiza pretendon se kamioni ka qenë në gjendje të rregullt dhe se nuk ka qenë shkas për aksidentin.

Njësoj sikurse super-ekspertiza konstaton edhe një ekspert i komunikacionit, sipas të cilit shkaktar kryesor ka qenë “pakujdesia e shoferit”.

Policia dhe Prokuroria e Ferizajt që nga fillimi e ka trajtuar rastin si “vetaksident“. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark