
Është inauguruar sot Fondi kosovar për garantimin e kredive, fond i cili është paralajmëruar se do t’iu ofrojë bizneseve fillestare qasje në financa, kredi më të lira për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe korporatat që synojnë t’i zgjerojnë bizneset e tyre.
Si ngjarje të rëndësishme e ka vlerësuar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sipas të cilit ky fond konsiderohet si hap shtytës për zhvillim ekonomik të vendit.
Ndërkohë kryeparlamentari Kadri Veseli ka theksuar se përmes këtij fondi priten të krijohen vende të shumta pune.
“Nga ky fond i cili do të veprojë për 6 vjet do të ndahen 360 kredi për 10 mijë biznese të reja të cilat do të hapin 120 mijë vende pune”, ka thënë kreu i Kuvendit.
Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Greg Delaëie, ka vlersuar se në këtë vit zhvillimi ekonomik ka filluar mbarë, duke thënë se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të ndihmojë në zhvillimin e biznesve e të cilat drejtohen edhe nga gratë.
“Kjo mund t’i siguroj Kosovës edhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë Delaëie.
Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive është një institucion vendor i pavarur dhe i qëndrueshëm, i cili do t’u lëshojë garanci të pjesërishme të kredive institucioneve financiare, duke rritur në këtë mënyrë qasjen në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë.
Agjencioni i ShBA-ve për zhvillim ndërkombëtar “USAID”, në partneritet me Qeverinë e Kosovës dhe donatorët tjerë, ka nisur themelimin e këtij institucioni me qëllim të lehtësimit të rritjes së kredidhënies për bizneset në Kosovë. /Insajderi.com