Insajderi
Lajme

Nga substanca e dyshimtë te produktet me afat të skaduar: Rasti i qumështit Aptamil në Rossmann

Insajderi
30 January 2026 - 23:28
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Nga substanca e dyshimtë te produktet me afat të skaduar: Rasti i qumështit Aptamil në Rossmann
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Kosovë ka ndërmarrë masa ndaj produkteve të qumështit për fëmijë Aptamil që shiteshin në pikat e rrjetit Rossmann Kosova, në dy faza: fillimisht për dyshime për substancë të kontaminuar dhe më pas për shkak të afatit të skaduar të përdorimit.


Sipas informacioneve të publikuara javën e kaluar, AUV njoftoi se kishte bllokuar një produkt ushqimor për fëmijë pasi është konstatuar prania e substancës Cereulide, një përbërje që paraqet rrezik për shëndetin, në informacionin e marrë përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF) nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë.


Sipas njoftimeve zyrtare, të dhënat e RASFF-it referohen tek një substancë të dyshuar të identifikuar në këtë produkt për fëmijë me origjinë nga Holanda, i cili ishte importuar dhe shpërndarë nga subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri, ndërsa 462 copë të këtij produkti ishin dërguar dhe shpërndarë në Kosovë për kompaninë Rossmann Kosova.

Pas marrjes së këtij njoftimi, produktet e kontaminuara u bllokuan menjëherë nga qarkullimi në bashkëpunim me operatorin tregtar, dhe u njoftua se do të ndiqej edhe procesi i asgjësimit sipas legjislacionit në fuqi.

Më vonë, në një njoftim zyrtar të AUV-së, u theksua se në një serë të produktit APTAMIL AR 2 – infant formula, ishte identifikuar prania e substancës Cereulide dhe se niveli i rrezikut ishte vlerësuar serioz, çka kishte çuar në kërkesën për tërheqjen nga tregu të këtij produkti.


Sonte, AUV njoftoi se produktet Aptamil që ishin bllokuar më parë për dyshime të kontaminimit tani rezultojnë se kishin afate përdorimi të skaduar, dhe për këtë shkak po bllokohen dhe po tërhiqen nga tregu, sipas vendimit të autoriteteve.


Në njoftimet zyrtare për media, AUV ka bërë të ditur se masat janë marrë në kuadër të kontrollit të sigurisë ushqimore, duke shtuar se produktet e konstatuara si me probleme janë hequr nga qarkullimi. Autoritetet gjithashtu kanë apeluar tek konsumatorët që të kthejnë në pikat e shitjes produktet e identifikuara.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark