Dokumente të sapo-publikuara zbulojnë email-e të dërguara në vitin 2011 drejt Jeffrey Epstein, tre vite pasi ai ishte dënuar për krime seksuale.
Një nga mesazhet, i nënshkruar nga “Sarah”, përmend një “djalë të porsalindur” dhe referohet te “The Duke”.
Në email, dërguesja e uron Epstein për lindjen e një fëmije mashkull, megjithëse ekzistenca e ndonjë fëmije të tij nuk është konfirmuar kurrë publikisht. Një mesazh i dytë, i dërguar vetëm pak minuta më vonë, ka tone emocionale dhe sugjeron se marrëdhënia e tyre ka qenë e lidhur me afrimin e Epstein me Princin Andrew.
BBC ka kontaktuar zëdhënësin e Sarah Ferguson, ish-bashkëshortes së Dukës së Yorkut, për një reagim lidhur me email-et. Deri tani, Ferguson nuk ka komentuar mbi zbulimet e fundit. Më herët, përfaqësuesit e saj kanë deklaruar se ajo është penduar për çdo lidhje me Epstein.
