Në zhargonin e ri të TikTok-ut, “6/7” (six-seven), nga të rinjtë përdoret për të përshkruar diçka që duket mesatare, ashtu-ashtu, apo thjesht një “trip” që s’prodhon ndonjë rezultat të madh. Duket se pikërisht këtë formulë po ndjek edhe Lëvizja Vetëvendosje: nga 70 dosjet e Shpend Ahmetit te 60-shi i Valon Prebrezës – a është kjo drejtësi, apo thjesht një strategji “6/7” për konsum politik?
Ajo që dikur nisi si “revolucioni i dosjeve” në Prishtinë, tashmë po rishfaqet në Fushë-Kosovë, me një ngjashmëri matematikore që të kujton trendet virale të momentit.
Kryetari i ri i Komunës së Fushë-Kosovës nga radhët e LVV-së, Valon Prebreza, ka zgjedhur pikërisht shifrën 60 për t’i hapur luftë trashëgimisë së Burim Berishës.
Ai njoftoi se mbi 60 dosje janë dorëzuar në Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës, me pretendimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe “kaos urbanistik” gjatë qeverisjes 25-vjeçare të LDK-së.
Një deja vu nga koha e Shpend Ahmetit
Ky veprim i Prebrezës nuk është asgjë më shumë se një përsëritje e skenarit të vitit 2014. Atëkohë, Shpend Ahmeti, asokohe pjesë e Vetëvendosjes, pati bërë të njëjtën lëvizje spektakolare: dërgimin e 70 dosjeve në Prokurorinë Speciale kundër ish-kryetarit Isa Mustafa.
Megjithatë, përtej zhurmës mediatike, rezultati juridik doli të ishte i vakët. Edhe pse u tentua të krijohej perceptimi i një korrupsioni masiv, faktet folën ndryshe.
Ekrem Lutfiu nga Këshilli Prokurorial pati konfirmuar se: “Në kuadër të 70 rasteve të trajtuara nuk ka pasur kallëzim penal e as hetim ndaj ish-Kryetarit, Isa Mustafa.”
Madje edhe ish-kryeprokurori Aleksandër Lumezi pati deklaruar qartë se emri i Mustafës nuk figuronte në asnjë prej këtyre dosjeve si i përfshirë në krime.
“Me ju thanë të drejtën, Isa Mustafa nuk ka qenë i përfishrë në asnjë prej kallëzimeve penale të cilat janë dërguar në Prokurorinë Speciale. Nuk ka qenë Isa Mustafa i përfishrë në këto raste. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt relevant i cili tregon se ish-Kryetari i Komunës së Prishtinës ka qenë i involvuar në këto raste”, deklaronte ai për një media.
Pyetja që shtrohet sot në Fushë-Kosovë është: A janë 60 dosjet e Prebrezës dëshmi të mirëfillta të korrupsionit të Burim Berishës, apo është thjesht një “remix” i strategjisë së Shpend Ahmetit?
Nëse historia e Prishtinës shërben si mësim, këto shifra (60 apo 70) shpesh përfundojnë në sirtarët e prokurorisë pa asnjë aktakuzë finale për krerët e komunave, duke mbetur vetëm si pjesë e folklorit politik të VV-së për të goditur rivalët e LDK-së.