Dokumentet bankare dhe transaksionet e brendshme të siguruara nga Gazeta Insajderi zbulojnë një sistem pagesash paralele në Byrojnë Kosovare të Sigurimit, ku krerët e institucionit, përveç pagave të rregullta, arkëtuan edhe bonuse, shpërblime dhe transferta të majme në llogaritë e tyre private. Në këtë hulumtim, Insajderi sjell shifrat e detajuara për dy persona tashmë të arrestuar në kuadër të hetimeve – ish-drejtorin Sami Mazreku dhe zyrtarin Valon Berisha – të cilët për dy vite përfituan dhjetëra mijëra euro shtesë përmes pagesave të regjistruara si “me vendim”, rimbursime dhe shpërblime. Ky kapitull i hulumtimit, i njohur si “Çështja 2”, dyshohet se u mbajt i fshehur nga BKS-ja dhe mbikëqyrësi shtetëror, Banka Qendrore e Kosovës, pasi listat e pagesave të dyfishta përfshijnë edhe zyrtarë që sot mbajnë pozita kyçe
Visar Duriqi
Paga, bonuse e transferta brenda. Një episod i ri në institucionin që buxhetin e krijon nga policëmbajtësit kosovarë që paguajnë me detyrim nga shteti – Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), pritet të zbardhë një aferë të re që u tentua të mbahej e fshehtë nga ky institucion dhe mbikëqyrësi shtetëror, Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Gazeta Insajderi raportoi javë më parë se, pos aferës me pagesa dëmesh që dyshohet të mos kenë ndodhur kurrë – për çka Prokuroria e Prizrenit më 8 janar 2026 arrestoi afro 40 persona – në dosjen hetimore përmendet edhe një “minierë” tjetër. E futur si “Çështja 2”, kjo pjesë e dosjes flet për: “Transferimin e mjeteve në llogaritë private të punonjësve dhe përdorimin e transaksioneve me kesh për shpenzime operative për periudhën 2019-2023”.
Edhe pas shumë insistimeve, Gazeta Insajderi nuk mori as dokumentin e as përgjigje nga BKS-ja nëse ky raport auditimi ishte hartuar ndonjëherë. Pavarësisht kësaj, Insajderi ka arritur të sigurojë transaksionet e BKS-së për vitet 2020-2022. Këto dëshmi vërtetojnë një fenomen të dyshimtë: krerët e BKS-së morën edhe paga, edhe bonuse, edhe transferta të majme që shënohen thjesht si ‘transfer me vendim’.
Sami Mazreku: 27 mijë euro “extra” mbi pagën mbretërore Në qendër të kësaj makinerie qëndron ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, i cili tashmë me vendim të BQK-së është përjashtuar nga industria e sigurimeve për 5 vite. Sipas dokumenteve që posedon Insajderi, për periudhën dyvjeçare (deri në fund të vitit 2022), llogaria e tij ishte shumë më tepër se një destinacion page.
Përderisa arkëtoi rregullisht rreth 68,400 euro pagë neto për 24 muaj, Mazreku përfitoi edhe nga transfertat direkte që kalojnë vlerën e 27,700 eurove. Këto mjete dolën nga arka e BKS-së me përshkrime si “Bonuse performance” (deri në 5,250 euro për një transfertë) dhe “Pagesa sipas vendimit”.
Bilanci: Brenda vetëm dy viteve, Mazreku arkëtoi mbi 96,000 euro nga fondet e BKS-së.
Sami Mazreku (pransferta & pagesa jashtë pagës)
| Data | Përshkrimi i Pagesës | Shuma (€) |
| 11.01.2021 | Shpërblim (Bonus) | €4,076.60 |
| 24.03.2021 | Dieta / Udhëtim zyrtar | €1,240.00 |
| 15.06.2021 | Pagesë sipas vendimit (Bonus/Shtesë) | €5,120.00 |
| 02.08.2021 | Shpenzime / Transfertë | €850.50 |
| 20.12.2021 | Shpërblim i fundvitit | €4,500.00 |
| 15.02.2022 | Pagesë retroaktive / Shtesë | €2,100.00 |
| 10.05.2022 | Bonus i performancës | €5,250.00 |
| 18.07.2022 | Dieta jashtë vendit | €1,460.00 |
| 30.08.2022 | Pagesë për komisione/bord | €1,800.00 |
| 22.12.2022 | Shpërblim i fundvitit | €1,308.31 |
Valon Berisha është modeli i njëjtë, por shifrat nën hije. Berisha, i prangosur në të njëjtën ditë me Mazrekun, sipas dokumentit që ka siguruar Insajderi, delqë shte pjesë e sistemit “dupleks”, ndonëse me shifra më modeste se eprori i tij. Për dy vite shërbim, Berisha arkëtoi rreth 38,400 euro pagë neto.
‘Mirëmbajtja’ e këtij modeli kushtoi edhe 1,939 euro shtesë, të cilat u derdhën në llogarinë e tij përmes transfertave që nuk kaluan filtrat e listë-pagës së rregullt, por u regjistruan si rimbursime dhe shpërblime festash.
Bilanci: Përfitimi i tij total brenda dy viteve kapi shifrën prej mbi 40,000 eurove.
Pse u tentua fshehja? Pyetja që rri pezull mbi BKS dhe BQK është: Pse u tentua me çdo kusht të mbahej sekret ky kapitull? BQK-ja është arsyetuar me hetimin, derisa BKS-ja ka zgjedhur heshtjen.
Pas shumë insistimesh tek më 4 shkurt BKS-ja ka kthyer njëfarë përgjigje.
“Në bazë të Statutit të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), organet e BKS-së kanë trajtuar të gjitha gjetjet e dala nga raportet e auditimit të brendshëm. Gjetjet që kanë qenë në kompetencë të organeve përkatëse janë adresuar, ndërsa gjetjet me karakter administrativ, për të cilat kanë qenë të nevojshme sqarime shtesë dhe trajtim përmes proceseve të brendshme, janë në fazë trajtimi sipas procedurave të brendshme të përcaktuara.BKS dhe organet e saj drejtuese mbeten të përkushtuara ndaj transparencës dhe llogaridhënies, si dhe ndaj forcimit të vazhdueshëm të mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe qeverisjes së mirë”, thuhet në përgjigjen e BKS-së për Insajderit.
Ekziston një dyshim i bazuar se “Çështja 2” po mbahet e mbyllur sepse listat e pagesave të dyfishta janë një “listë e zezë” për menaxhmentin aktual. Dyshohet se në këto lista figurojnë zyrtarë që sot mbajnë pozita kyçe; prandaj, dorëzimi i plotë i raportit në Prokurori do të shkaktonte një tërmet që do të rrezikonte vetë funksionimin e Byrosë.
Hulumtimi i Insajderit vazhdon, pasi numri i personave që përfituan në këtë formë dyshohet të jetë shumë më i madh./ Gazeta Insajderi