Udhëheqësi i Inspeksioneve në Drejtorinë e Inspektimit në Gjilan, Salih Kçiku, ka njoftuar se ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjilan ndaj Saqip Jakupit nga Gjilani, i cili aktualisht jeton dhe vepron në Gjermani, për shpifje, denigrim dhe cenim të rëndë të autoritetit, dinjitetit dhe integritetit personal e familjar.
“Sot, kam ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjilan ndaj Saqip Jakupit nga Gjilani, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, për shpifje, denigrim dhe cenim të rëndë të autoritetit, dinjitetit dhe integritetit tim personal dhe familjar.
I njëjti më ka fajësuar publikisht për veprime për të cilat nuk ekziston asnjë bazë juridike, duke tentuar të më paraqesë si fajtor në opinion publik, pa asnjë vendim gjyqësor apo fakt ligjor që e mbështet këtë pretendim.
Në mënyrë të qëllimshme dhe dashakeqe, ai ka publikuar: foto të djemve të mi, kryesisht familjareve të realizuara në ambiente private familjare, përmbajtje shpifëse me qëllim njollosjeje duke i keqpërdorur ato për të krijuar perceptim të rremë dhe denigrues në rrjete sociale”, ka shkruar ai.
Kçiku ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të vazhdojë me kallëzime penale edhe ndaj personave të tjerë, të cilët, sipas tij, kanë ushtruar kallëzime penale të rreme ndaj tij, raste për të cilat ai është liruar nga Prokuroria Themelore për mungesë të bazës faktike dhe juridike.
“Shpifjet, kallëzimet e rreme, presioni publik dhe cenimi i qetësisë familjare nuk do të tolerohen më. Drejtësia realizohet përmes institucioneve shtetërore dhe ligjit, jo përmes gjykimit publik në rrjete sociale”, ka theksuar Kçiku.