Prokuroria Speciale ka lëshuar akuza të rënda gjatë deklaratës përfundimtare në Hagë, duke e cilësuar Rexhep Selimin si një figurë kyçe që kontrolloi emërimet dhe shkarkimet në UÇK për të jetësuar atë që e quajnë “qëllim i përbashkët kriminal”.
Prokurori Matt Halling, gjatë seancës së sotme, ka deklaruar se Rexhep Selimi nuk ishte thjesht një dëshmitar, por pjesëmarrës direkt në kryerjen e krimeve.
Sipas prokurorisë, Selimi kishte autoritet të plotë mbi vartësit dhe e përdori këtë fuqi për të spastruar ata që i konsideronte pengesë.
Prokuroria pretendon se mekanizmi i llogaridhënies ishte përmbysur me qëllim. Halling përmendi se Selimi ndërmori hapa konkretë për të hequr figurat si Ekrem Rexha (Komandant Drini), duke i zëvendësuar me njerëz të besuar si kushëriri i tij, Sylejman Selimi.
“Selimi kishte aftësinë dhe informacionin për të trajtuar sjellje e vartësve të tij dhe ai ndërmori hapa për të hequr dikë si komandant Drini dhe jo dikë si Sylejman Selimi i cili ishte emëruar nga Rexhep Selimi dhe Shtabi i Përgjithshëm vetëm për të kryer krime me njerëzit e tij në Likoc. Rexhep Selimi nuk bën asgjë për të ndaluar kushëririn e tij Sylejmanin dhe provat për praninë e Selimit tek të ndaluarit dhe keqtrajtuarit në Likoc i dha atij edhe më shumë informacion për të ndërhyrë. Por, Drini u hoq dhe Sylejmani u bë komandant i përgjithshëm. Mekanizmi i llogaridhënies është kthyer komplet mbrapsht dhe kjo është e qëllimshme”, tha prokurori.
Pjesë e argumentimit të prokurorisë ishte edhe qasja ideologjike e Selimit ndaj kundërshtarëve politikë. Halling citoi një dëshmitar, sipas të cilit i akuzuari kishte deklaruar: “Do i vras me duart e mia të gjithë ata që janë me Rugovën”.
Sipas Prokurorisë, ky qëndrim reflektohej në refuzimin e Selimit dhe Shtabit të Përgjithshëm për të njohur linjën institucionale të Kosovës, përfshirë Presidentin dhe Parlamentin e asaj kohe.
“Selimi u caktua përgjegjës për goditjen të koordinuar më të madhe që UÇK-ja kishte bërë deri në atë pikë dhe komunikata 36 pasqyron këto sulme. Pastaj, ai është personi që flet në paraqitjen e parë të UÇK-së më 1997-ën”, tha ai.
Përveç përgjegjësisë komanduese, ZPS pretendon se ka prova për përfshirje fizike të Selimit në keqtrajtime. Prokurori përmendi një rast ku i akuzuari thuhet se ka rrahur një të ndaluar duke përdorur një tub plastik.
“Selimi vepron përmes pozitave që ai mban gjatë periudhës së mbuluar në aktakuzë për të bashkëndarë qëllimin e përbashkët kriminal dhe për t’i kontribuar atij. Këtë mund ta shihni në gjuhën që ai përdorë përpara se të shihni atë që rrah një të ndaluar duke përdorur një tub plastik dhe duke marrë pjesë në kryerjen e krimeve të tjera”, tha ai.
Përveç kësaj, Halling tha se Selimi ishte i qartë vazhdimisht për bindjen e tij ndaj disa grupeve që i konsideronte kundërshtarë. Tha që Shtabi i Përgjithshëm nuk e kishte njohur dhe nuk do ta njihte kurrë këtë vijë institucionale, parlamentin e presidentin.