Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar, mashkull kosovar, më 09.02.2026 në Ferizaj, nën dyshimet për posedim të lëndëve narkotike dhe përdorim të paautorizuar të armës.
Me urdhër të prokurorit, është kryer kontroll edhe në zyrën dhe shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar: një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë rreth 19.10 gram, një revole me një karikator dhe katër fishekë, një veturë, gjashtë telefona celularë, para të gatshme në vlerë rreth 7 mijë e 535 euro dhe 20 dirhamë, një sprej, si dhe dy fletore me shënime.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë rreth 19.10 gram, një revole me një karikator dhe katër fishekë, një veturë, gjashtë telefona celularë, para të gatshme në vlerë rreth 7,535 euro dhe 20 dirhamë, një sprej, si dhe dy fletore me shënime”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Gazeta Insajderi merr vesh se i arrestuari është Adnan Islami.
Prokuroria në Ferizaj, në një përgjigje për Insajderin, ka konfirmuar se ndaj të njëjtit do të parashtrohet kërkesë për paraburgim.
“Lidhur me kërkesën tuaj për informacion, ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për kohëzgjatje prej 48 orësh i dyshuari me iniciale A.I., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për shkak të dyshimit të veprave penale të lartcekura”, thuhet në përgjigje.
Adnan Islami, siç merr vesh Insajderi, është bashkëshorti i ish- asamblistes së PDK-së në Ferizaj, Fora Musa Islami.

