Insajderi
Hulumtime/Analiza

“Syri i verbër” i gjigantit global | Si i shpëtuan Grant Thornton-it skandalet e BKS-së

Insajderi
10 February 2026 - 16:33
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Syri i verbër” i gjigantit global | Si i shpëtuan Grant Thornton-it skandalet e BKS-së
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Për vite me radhë, Grant Thornton certifikoi pasqyra financiare “të rregullta” të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ndonëse nga llogaritë e saj u paguan mbi 1.3 milionë euro për dëme që nuk ndodhën kurrë dhe pa asnjë dokument bazë verifikimi. Skema u zbulua vetëm nga një auditim i brendshëm, duke çuar në arrestime dhe hetime penale. Paralelisht, raporteve të auditorit ndërkombëtar u “shpëtuan” edhe pagesat direkte jashtë pagës zyrtare në llogari private të punëtorëve – një tjetër aferë që dyshohet se u tentua të mbulohej me heshtje institucionale

Visar Duriqi

“Sipas opinionit tonë, pasqyrat financiare shoqëruese paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të Byrosë”.

Kjo fjali standarde, e shkruar me besim profesional mbi logon e Grant Thornton, shërbeu për vite me radhë si viza e sigurisë për Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Ndërkohë që qytetarët e Kosovës detyroheshin me ligj të paguanin polica sigurimi për të qarkulluar në rrugë, paratë e tyre, siç doli më vonë, po “avulloheshin” përmes një skeme të sofistikuar që as firma që thotë se ka 80 mijë profesionistët të rrjetit global, Grant Thornton, nuk arriti ta kapte.

Në faqen zyrtare të BKS-së, raportet e Grant Thornton nga viti 2020 deri në vitin 2023 flasin për një institucion të shëndoshë. Por, kjo kështjellë letre u shemb kur Krenare Pirana Kiseri, një auditore e brendshme e institucionit, që më vonë u zgjodh edhe Drejtoreshë e krejt BKS-së, guxoi të gërmonte aty ku auditorët e jashtëm kaluan, siç duket, sipërfaqësisht.

Raporti i saj dokumentoi aferën mbi 1.3 milionë eurosh – një shifër që nuk ishte gabim njerëzor, por një skemë e mirëfilltë e pagesave të dyshimta për dëme që nuk ekzistonin.

Ky raport ishte fitili që ndezi operacionin e 8 janarit 2026. Ndërsa Prokuroria Themelore në Prizren prangoste afro 40 persona, përfshirë ish-drejtorin Sami Mazreku dhe ish-shefin e financave Valon Berisha, një pyetje mbeti pezull në ajër: Çfarë auditoi Grant Thornton gjatë këtyre viteve?

Pavarësisht insistimit të Gazetës Insajderi për javë të tëra, drejtorët menaxhues – Valerina Gjoci, Gjon Aliaj, Slavcho Filipchev dhe Maja Atanasovska – kanë zgjedhur heshtjen. Një heshtje që rëndon edhe më shumë kur e ballafaqon me faktin se pagesat prej 1.3 milionë eurosh kishin dalë nga llogaritë bankare të BKS-së pa asnjë lëndë dëmi, pa raporte policore dhe pa asnjë verifikim – elemente bazë që çdo kursant auditimi do t’i hetonte në ditën e parë të punës.

Në Kosovë, emri global i Grant Thornton përfaqësohet nga një strukturë pronësie që lidhet me Maqedoninë e Veriut. Sipas regjistrit të bizneseve, firma është në pronësi të “Grant Tornton Konsalting D.O.O” (49%), ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga Suzana Stavrikj dhe Maja Atanasovska. Së bashku me Slavcho Filipchev, ato përbëjnë bordin që do të duhej të garantonte se standardet e Londrës dhe Nju Jorkut aplikoheshin edhe në Prishtinë.

Grant Thorton ka audituar pasqyrat financiare, së paku sipas raporteve që ka publikuar vet BKS-ja, nga 2020, deri më 2023. Tutje në faqen e tyre në internet nuk gjendet raporti për vitin 2024, që duhej të publikohej në vitin 2025.

Pavarësisht që Grant Thorton nuk e evidentoi në raportet e veta për BKS-në këtë aferë, Prokuroria në Prizren tashmë ka arritur që të siguroi një vendim të ri gjyqi ku në paraburgim edhe për dy muaj ka dërguar i Sami Mazrekun, Valon Berishën, Florent Sylejmanin dhe Yll Çollakun, derisa pjesa tjetër e të arrestuarve të 8 janarit detyrohen ende që të paraqitën në polici- si masë sigurie.

Gazeta Insajderi ditë më parë ka raportuar edhe për një aferë tjetër të mundhme financiare, e që është ajo e pagesave direkte, përvec pagës, tek llogaritë private të të punësuarve në BKS, e që vet institucioni e BQK-ja dyshohet se tentuan që ta heshtnin, ani pse në vendimin e Këshillit të BKS-së që e drguan në Prokurori, e patën evidentuar si rast.

As kjo aferë e mundshme nuk ishte evidentuar në raportet e gjigantit botërore, Grant Thorton, që deklaron se ka përfaqësi në mbi 150 vende të botës, derisa sipas regjistrit në ARBK, në Kosovë operon që nga dhjetori i vitit 2005. / Gazeta Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark