Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim për vazhdimin e masave të sigurisë ndaj dhjetëra të pandehurve në rastin e madh të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë transkriptin e gjykatës, ku mbrojtësit e të pandehurve kanë kundërshtuar arsyetimet e Prokurorisë Themelore të Prizrenit për caktimin e masave të sigurisë ndaj të të pandehurve.
Mbrojtësi i të pandehurit Sami Mazreku, avokati Fitim Malokaj, ka kërkuar që ndaj klientit të tij të caktohet një masë më e butë e sigurimit të pranisë, duke argumentuar se prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin e bazuar se ai ka kryer vepër penale. Ai e ka cilësuar kërkesën për vazhdim të paraburgimit si të mangët dhe paragjykuese, duke theksuar se Mazreku nuk paraqet rrezik për procedurën dhe ka qenë bashkëpunues me drejtësinë. Sipas tij, provat tashmë janë siguruar dhe janë në dispozicion të prokurorisë, ndërsa pretendimet për rrezik ikjeje janë të paargumentuara, për çka i pandehuri premton se nuk do të largohet nga vendbanimi.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit Valon Berisha, avokati Taulant Ferizi, ka kërkuar zëvendësimin e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak ose dorëzanisë, duke vënë theksin te gjendja e rënduar shëndetësore e klientit të tij, për të cilën ka dorëzuar dëshmi mjekësore. Ai ka pretenduar se prokuroria ka dështuar të argumentojë dyshimin e bazuar dhe nuk ka provuar se ka ndërmarrë veprime të nevojshme për të përshpejtuar hetimet. Po ashtu, avokati ka argumentuar se organi i akuzës nuk ka arritur të provojë pse masat e tjera më të buta nuk do të ishin të përshtatshme në këtë rast.
Për të pandehurin Florent Sylejmani, avokati Florent Latifaj ka deklaruar se kërkesa e prokurorisë nuk i plotëson kushtet formale për aprovim, pasi është e formuluar në mënyrë të përgjithësuar dhe pa individualizuar veprimet e të pandehurve. Ai ka argumentuar se dyshimet për veprat penale nuk mbështeten në asnjë provë materiale, duke specifikuar se nuk ceket se cilat dokumente janë falsifikuar apo si është keqpërdorur besimi. Latifaj ka shtuar gjithashtu se nuk ekziston rreziku i ikjes.
Sa i përket grupit të të pandehurve që ndodhen në masa më të lehta, avokati Faton Fetahu, mbrojtës i Hasip Meleqit, ka theksuar se kërkesa e prokurorisë është e pabazuar dhe nuk përmban arsyetim konkret për klientin e tij, i cili është prind i një fëmije dhe ka qenë bashkëpunues që nga fillimi. Ngjashëm, avokati Rinor Bajrami, mbrojtës i Ariana Mehmeti-Meleqit, ka sqaruar se klientja e tij u paraqit vullnetarisht në polici dhe se pretendimet për rrezik ikjeje janë të paqëndrueshme pasi ajo jeton dhe punon në Kosovë.
Mbrojtësit e të pandehurve të tjerë si Adem Nasufi, Azem Rusinovci, Muhamet Rexhepi dhe Mërgim Zabeli kanë kërkuar refuzimin e masave, duke thënë se klientët e tyre janë kryefamiljarë dhe se provat tashmë janë siguruar. Avokati Berat Tmava madje ka deklaruar se Adem Nasufi do të duhej të kishte statusin e dëshmitarit dhe jo të të pandehurit. Pavarësisht këtyre argumenteve, gjykata ka vendosur të vazhdojë masat e sigurisë, duke vlerësuar se ekziston ende nevoja për sigurimin e të pandehurve në procedurë.
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Sami Mazrekut, Valon Berishës, Florent Sylejmanit dhe Yll Çollakut.
Ndërkaq, ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar dhe masën e paraqitjes në stacionin policor për të pandehurit Agon Bardhi, Mirjetë Hoti, Abnora Peci, Hasip Meleqi, Kushtrim Demolli, Lumnije Osmani – Sylejmani, Egzona Gashi, Trëndelinë Azemi Begaj, Ariana Domniku Çollaku, Valbone Hoxha, Shefqet Mjeku, Rilind Hasani, Leonard Rexhaj, Agim Krasniqi, Paris Starabaja, Adem Nasufi, Suad Haliti, Bajram Osmani, Enis Osmani, Mergim Zabeli, Mentor Demolli, Faton Hajdari, Fehmi Bajrami, Hana Ullak, Ariana Mehmeti Meleqi, Muhamet Rexhepi, Naxhije Çollaku, Marigona Çollaku, Lirim Ahmetaj, Brendona Mujaj, Besiana Murati, Diellza Kabashi, Valon Duraj, Nora Muçaj dhe Azem Rusinovci. /Insajderi.org/