Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se do të vazhdojë intervistimi i personave për procesin e numërimit të votave në komunën e Klinës.
Përmes një komunikate për media, thuhet se Prokuroria ka autorizuar hetimet rajonale të Policisë së Kosovës për intervistimin e personave të përfshirë nën dyshimin për manipulim votash për kandidatët e subjekteve politike, shkruan Insajderi.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se sot do të vazhdojë intervistimi i personave përgjegjës për procesin e numërimit të votave në Komunën e Klinës. Lidhur me dyshimet për manipulim të votave, përkatësisht të rezultateve të kandidatëve të subjekteve politike në këtë komunë, Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e personave në këtë proces”, thuhet në komunikatë.
“Prokuroria Themelore në Pejë, mbetet e përkushtuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti dhe për garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor”. /Insajderi.org/