Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj dy vëllezërve, ‘Remit’ e ‘Limit’ të dyshuar për trafikim me narkotikë, duke caktuar masën e arrestit shtëpiak – ose thënë ndryshe: në vendin e krimit. Insajderi sjell detajet
Visar Duriqi
U kapën duke shitur drogë në shtëpi, por pas një muaji në paraburgim, dy vëllëzërit që në Mitrovicë njihen si ‘Remi’ e ‘Limi’ me një vendim Gjyqi, janë kthyer bukfalisht në vendin e krimit. Në arrest shtëpiak.
Pas një operacioni të Policisë së Kosovës të realizuar përmes masave të fshehta hetimore, dy persona ishin arrestuar në lagjen Kolloni në Mitrovicë nën dyshimin për shitblerje të substancave narkotike. Megjithatë, të pandehurit Remzi Hyseni (35 vjeç) dhe Qlirim Hyseni (27 vjeç), tashmë do të përballen me procedurën penale nga arresti shtëpiak, vendim ky i marrë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Nuk kreu punë që kërkesa e Prokurorisë atje të miratohej edhe për dy muaj shtesë paraburgim as fakti që ata bash në shtëpi u kapën duke shiturë drogë, e as fakti që njëri nga ta kishte edhe gjashtë raste të tjera penale, derisa tjetri bash ditën kur u arrestuan kishte tentuar që të shkatërronte provat.
Sipas dosjës që e ka parë Gazeta Insajderi, hetimet ndaj vëllezërve Hyseni kishin filluar në tetor të vitit 2025. Gjatë kësaj periudhe, Policia ka zbatuar urdhëresa për blerje të stimuluar të narkotikëve.
Hetimi ishte profesional dhe i detajuar. Policia e Kosovës nuk u bazua në thashetheme, por përdori masa të rrepta hetimore. Sipas dokumenteve të Prokurorisë një zyrtar i autorizuar u infiltrua në rrugicat e lagjes Kolloni, duke u përballur me “biznesin” e vëllezërve.
“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit nga data 22.10.2025 e deri me datë 09.01.2026, në vazhdim dhe në bashkëkryerje, pa autorizim kanë shitur substanca narkotike të llojit Kokainë… Më datë 22.10.2025 rreth orës 17:15, i pandehuri Remzi Hyseni i shet zyrtarit policor të infiltruar substancë narkotike në peshë prej 0.23 gram, në vlerë prej 20 euro. Më datë 05.01.2026 rreth orës 18:25, i pandehuri Qlirim Hyseni i shet zyrtarit policor të infiltruar substancë narkotike në peshë prej 0.50 gram, në vlerë prej 40 euro”, thuhet në dosjen e shtetit kundër vëllëzërve Hyseni.
Hetimi tregon se aktiviteti i tyre dyshohet të ketë vazhduar që nga tetori i vitit 2025, duke kthyer shtëpinë e tyre në një pikë referimi për përdoruesit e narkotikëve.
Gjatë operacionit të bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve në rrugën “Rifat Dedia”, Policia ka raportuar se i pandehuri Qlirim Hyseni ka tentuar të asgjësojë provat duke i hedhur në tualet.
“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, i pandehuri Qlirim Hyseni ka tentuar t’i asgjësojë narkotikët duke i hedhur në ËC, mirëpo nga ana e zyrtarëve policorë janë sekuestruar katër qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit Kokainë”, thuhet në dosje.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: Katër qese me substancë të dyshuar si kokainë; Mjet për bluarjen e narkotikëve (grinder);1,300 euro kesh, të cilat dyshohen se rrjedhin nga veprimtaria kriminale; Pajisje elektronike (telefona) për ekzaminim të mëtejshëm.
Në kërkesën e saj, Prokuroria ka vënë në pah se i pandehuri Remzi Hyseni është i dyshuar edhe për gjashtë vepra të tjera penale, duke argumentuar rrezikun e përsëritjes së veprës.
“Për të pandehurin Remzi Hyseni të merret parasysh se i njëjti është i dyshuar edhe për gjashtë (6) vepra të tjera penale, dëshmi këto që tregojnë personalitetin e të pandehurit….Ekziston rreziku se të njëjtit do të përsërisin veprën penale, duke marrë parasysh faktin se të njëjtit narkotikun e kanë shitur në shtëpinë e tyre, ku edhe është kryer bastisja”, thuhet në dosjën e shtetit.
Po ashtu, dosja përmban dëshminë se ‘Remi’ e ‘Limi’ shishin drogë të rrezikshme. Në një rast një dëshmitari/ klient i tyre kishte deklaruar se ka pranuar trajtim mjekësor pas konsumimit të substancës së blerë nga të pandehurit, por as kjo nuk i mjaftoi Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të ua vazhdonte paraburgiiin.
Gjykata e kontaktuar nga Insajderi për këtë rast, përmes një përgjigjeje me e-mail, ka thënë se se vendimi për arrest shtëpiak është nxjerrë në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
“Gjykata ka konstatuar se në këtë fazë të procedurës, arresti shtëpiak përmbush qëllimin e sigurimit të pranisë së të pandehurëve dhe zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim, duke shtuar se masa i nënshtrohet mbikëqyrjes policore.
Prokuroria, sipas Gjykatës, ka të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 48 orësh./ Gazeta Insajderi