Insajderi
Analiza

Lëshime mbledhjesh, qortime në fushatë| Patën përplasje të vazhdueshme në Mitrovicë, Kurti e vendosi Mujën në pozitën që barte Peci

Insajderi
12 February 2026 - 10:26
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Lëshime mbledhjesh, qortime në fushatë| Patën përplasje të vazhdueshme në Mitrovicë, Kurti e vendosi Mujën në pozitën që barte Peci
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryeministri Albin Kurti prezantoi dje ekspozenë e Qeverisë së ardhshme. Në postin që po e barte Faton Peci, e vendosi Armend Mujën. Këta dy të fundit kanë pasur përplasje të vazhdueshme, ku që të dy synonin postin e kryetarit të Mitrovicës. Madje, gjatë fushatës u raportua edhe për përplasje e moskoordinim në degën e VV’së në Mitrovicë si shkak i Pecit e Mujës.

Armend Muja, i cili nga roli i analistit arriti të bëhej deputet, tashmë ka avancuar edhe një shkallë më lart. Muja do ta bart postin e ministrit të Bujqësisë, ku dha betimin përgjatë seancës së mbrëmshme pas votimit të kabinetit Kurti 3, me 66 vota për, shkruan Insajderi.

Postin në fjalë e barte deri vonë bashkëvendasi i Mujës, Faton Peci. Megjithatë, sa qeveria ishte në detyrë, Peci u përcaktua nga Kurti si kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut përgjatë zgjedhjeve lokale, të mbajtura vitin që shkoi.

Muja kishte bërë të ditura, ndonëse jo hapurazi, pretendimet e tij për të parin e Mitrovicës. Moszgjedhja e Mujës si kandidat për kryetar të Mitrovicës nga radhët e VV’së dhe zgjedhja e një kandidati që vjen prej partia tjetër, Lista Guxo, shkaktoi pakënaqësi.

Pakënaqësitë u shpërfaqën përgjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale. Në bazë të raportimeve të mediave lokale në Mitrovicë, Peci kishte akuzuar Mujën se po ia dështonte tubimet. Për këtë, Muja s’kishte marrë pjesë në një tubim në Zhabar të Mitrovicës.

Çdoherë sipas atyre raportimeve, si shkak i këtyre sjelljeve, Muja ishte ftuar nga qendra e VV-së në Prishtinë, me qëllim për të qetësuar situatën e acaruar në ditët e fundit të fushatës.

Kjo përplasje vazhdoi edhe pasi që pas balotazhit, VV’ja arriti ta marrë këtë komunë. Në gjysmën e janarit të këtij viti, kur po merreshin vendime për emërime, pati mos-pajtime lidhur me emrin e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Peci e “çoi shumë lart” me Mujën dhe pas diskutimeve të ashpra kishte lëshuar mbledhjen në mënyrë demonstrative, ku po flitej për emra drejtorësh e poste të tjera në komunë.

Arsyeja pse kryetari Peci kishte lëshuar mbledhjen ishte insistimi i tij për emërimin e Enis Osmanit, bashkëpunëtorit të tij të ngushtë në pozitën e nënkryetarit, pozitë të cilën VV dhe Muja e kërkonin për asambleisten e VV’së në Mitrovicën e Veriut, Aida Ferati Doli.

Pavarësisht këtyre, Muja do ta mbajë pozitën që barti Peci për katër vite, teksa ky i fundit për sakaq vite pritet ta vazhdojë në pozitën që e dëshiroi kaq shumë tashmë ministri i VV’së. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark