Insajderi
Lajme

Publikuan kartela me pretendimin se janë të mbushura me para, Krimet Kibernetike i gjejnë dhe i arrestojnë dy persona në Podujevë

Insajderi
13 February 2026 - 16:13
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Publikuan kartela me pretendimin se janë të mbushura me para, Krimet Kibernetike i gjejnë dhe i arrestojnë dy persona në Podujevë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka realizuar një operacion në Podujevë, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme.

Operacioni është zhvilluar në bashkërendim me Prokurorinë e Shtetit dhe me urdhër të Gjykatës, pas hetimeve që lidhen me shpërndarjen e videove dhe fotografive në rrjete sociale.

Sipas Policisë, dy të dyshuarit, kishin publikuar pamje të kartelave bankare duke pretenduar se ato ishin të mbushura me shuma të ndryshme parash dhe të gatshme për përdorim në blerje online.

Dyshohet se përmes këtyre veprimeve, ata kanë synuar përfitim të kundërligjshëm pasuror për vete ose për persona të tjerë, duke keqpërdorur kartela bankare të individëve të ndryshëm.

Sipas autoriteteve, me veprimet e tyre ata kanë kryer veprat penale “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”, “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve” si dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme në Podujevë.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy llaptopë, tre telefona mobilë, kartëmonedha imituese në vlera 5, 10 dhe 20 euro, një kartelë e bardhë si dhe tri armë pistoleta me gaz me gjithsej 17 fishekë.

Pas ndërmarrjes së veprimeve procedurale dhe me vendim të prokurorit të rastit, dy të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark