Banka Qendrore nuk ka arritur të sigurojë një gjenerator të ri për objektet e saj, pavarësisht procedurave të prokurimit që kanë nisur prej vitesh dhe nevojës për mirëmbajtjen e infrastrukturës energjetike rezervë. Dokumentet zyrtare të prokurimit dhe përgjigjet e institucionit tregojnë për një proces të shoqëruar me anulime tenderësh, mungesë ofertash dhe hetime të mëhershme lidhur me këtë pajisje
Gazeta Insajderi
Tender, anulim. Tender, anulim. Pak a shumë kështu duken njoftimet e Bankës Qendrore kur kërkohet fjala gjenerator. Tash e afro tri vite ky institucion ia ka mësyrë që ta blej një gjenerator të ri, por po dështon. Madje po dështon që ta gjej edhe një firmë qe ia mirëmban të vjetrit. Dhe krejt kjo në kohën kur vendi përballet me krizë energjetike e reduktime.
Si institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e sistemit bankar dhe stabilitetin financiar të vendit, ka deklaruar se pavarësisht situatës me gjeneratorin, reduktimeve faktike, sipas tyre funksionimi i sistemeve dhe siguria e të dhënave nuk janë të rrezikuara.
Në një përgjigje me e-mail ky institucion i ka thënë Gazetës Insajderi se sipas tyre “sistemet e BQK-së dhe të dhënat e saj janë plotësisht të mbrojtura dhe sigurta sipas standardeve më të larta të sigurisë… nuk qëndrojnë pretendimet se çështja e gjeneratorit paraqet ndonjë rrezik lidhur me të dhënat”.
Pavarësisht kësaj, dokumentet e prokurimit tregojnë se tentativa më e fundit e BQK-së lidhur me gjeneratorët ishte hapja e një tenderi për servisimin e pajisjeve ekzistuese. Më 5 dhjetor 2025, BQK publikoi njoftimin për anulim me titull “Servisimi i gjeneratorit në BQK”, me numër reference BQK 25 076 234.
Procedura ishte zhvilluar përmes formës së kuotimit të çmimeve. Por, doli që numri i ofertave të pranuara ishte zero.
Tek pjesa e tenderëve të hapur, nuk vërehet më që ka pasur as tender për blerje të gjeneratorit e as për servisim, derisa në faqen e BQK-së, tenderët e negociuar – sekret, nuk shfaqen.
Procedurat për furnizimin me gjenerator të ri në BQK nuk janë vetëm një dështim administrativ, por edhe subjekt i një rasti të trajtuar nga organet e drejtësisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë i pati konfirmuar më herët Insajderit se është duke shqyrtuar një denoncim për dyshime mbi keqpërdorim të pozitës zyrtare nga Shefi i Prokurimeve në BQK, Valon Lepaja pikërisht në lidhje me tenderin për gjenerator.
Nuk ka informacione publike për një vendim përfundimtar lidhur me këtë rast, derisa kur Insajderi e ka pyetur BQK-në për tenderin për gjenerator, e ka informuar edhe Prokurorinë, por te njëjti deri tash nuk kanë kthyer ndonjë koment se deri ku ka shkuar hetimi, ani pse në gusht 2025 patën thënë që prokurori i caktuar në jetë rast po merrte të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Derisa BQK-ja garanton që sistemet e tyre, pavarësisht dështimit për tu furnizuar me gjenerator të ri e në kohë krize energjetike, janë të sigurta, nuk kanë dhënë detaje se si do të veprojnë në të ardhmën.
BQK ka deklaruar se proceset e furnizimit zhvillohen në përputhje me procedurat e brendshme dhe “dinamikat institucionale”, të cilat nuk mund të ndikohen nga palët e jashtme.
BQK-ja, pasi që nuk i bën prokurimet përmes platformës “e-prokurimi”, por me një rregullore të brendshme, mund të ketë shpallur ndonjë tender të negociuar- sekret, një prkatikë shumë e përhapur nëpër institucione që kur në pushtet erdhi Kryeministri Albin Kurti./ Gazeta Insajderi