Insajderi
Analiza

“U fut me granatë në dorë në veturën e policit”- Dosja e Prokurorisë për Liridon Podrimjën që dyshohet se kanosi policët në Gjakovë

Insajderi
25 February 2026 - 17:02
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“U fut me granatë në dorë në veturën e policit”- Dosja e Prokurorisë për Liridon Podrimjën që dyshohet se kanosi policët në Gjakovë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit Liridon Podrimja, për veprat penale kanosje, posedim i narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. Në dosjen e Prokurorisë, pretendohet se Podrimja kur është ndalur për shkelje komunikacioni ka eskaluar në fjalë dhe ndër të tjera ka nxjerrë armë zjarri dhe një granatë dore, të cilën e ka mbajtur pranë gjoksit.

Në dosjen e Prokurorisë së Gjakovës, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, thuhet se i dyshuari ka refuzuar urdhrat e policëve në komunikacion dhe është shprehur me fjalët “dokumenta s’kom me veti po qikjo arsye s’osht e vërtetë hiç, e ska p… none që m’dënon mu, jau mar inatin e sju qet mirë hiç me mu”.

Siç thotë dosja, kur policët bëhen gati për arrestimin e tij I njëjti nxjerr një armë dhe shkon në drejtim të policëve me fjalën “unë ju vraj qitu, t’dekën ju lo”.

“…Pastaj shkon pas një veturë tjetër dhe zyrtaret policor i drejton armët dhe kërkojnë që të heq armën dhe të dorëzohet, por i njëjti nga çanta e tij nxjerr një granate dorë të cilën e mban tek gjoksi shkon dhe futet në veturën e tij me granat në dorë të cilën dyshohet se ia kishte hequr siguresën dhe i njëjti menjëherë largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në dosjen që ka parë Insajderi.

Prokuroria thotë se që nga momenti i kryerjes së veprës së dyshuar e deri më 22 shkurt i dyshuari ka qëndruar në arrati.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit deri më 23 mars të këtij viti.

Policia e Kosovës kishte shpallur në kërkim të dyshuarin, duke publikuar fotografinë e tij. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark