Insajderi
Lajme

Avokati i Podrimjës kundërshton Prokurorinë: Pamjet nuk tregojnë qartë momentin e daljes nga vetura dhe nxjerrjen e armës

Insajderi
25 February 2026 - 17:13
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Avokati i Podrimjës kundërshton Prokurorinë: Pamjet nuk tregojnë qartë momentin e daljes nga vetura dhe nxjerrjen e armës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prek Kola, avokati i të pandehurit Liridon Podrimja, ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë Themelore në Gjakovë lidhur me kanosjen dhe arsyetimet për caktimin e masës së paraburgimit.

Kola në seancën për caktimin e masës së paraburgimit ka kundërshtuar në tërësi kërkesën e prokurorisë për paraburgim. Ai argumenton se nuk ekziston dyshimi i bazuar, pasi nuk ka prova konkrete për veprën e kanosjes dhe për pretendimin se i pandehuri ka nxjerrë pistoletë. Sipas tij, CD-ja nuk tregon qartë momentin e daljes nga vetura dhe nxjerrjen e armës, ndërkohë që ka ndërprerje dhe mungesa incizimi.

“Nuk është kontestuese që i mbrojturi im nga data 25.01.2026 ka qenë në arrati dhe ju ka shmangur procedurës penale, por arsyen dhe rrethanat se pse e ka bërë, i njëjti e ka sqaruar në deklaratën e dhënë në polici, sepse nuk ka pasur besim që të dorëzohet menjëherë në polici“, ka thënë Kola në seancë.

Kola tutje argumenton se nuk ekziston rreziku i ikjes, ndikimit në dëshmitarë, ndikimit në prova dhe përsëritjes së veprës. Për këtë arsye, propozoi që të shqiptohet një masë më e butë sigurie, si arresti shtëpiak, në vend të paraburgimit.

Pranë gjykatës ka folur edhe i pandehuri Liridon Podrimja, i cili thotë se nuk ka pasur qëllim të dëmtojë apo kërcënojë askënd. Kur u ndalua nga policia për “nisje të vrullshme”, ai mohon shkeljen dhe pretendon se nuk kishte patentë me vete. Sipas tij, Podrimja u largua nga vetura pasi ndjeu padrejtësi dhe u përpoq të shmangte konfliktin.

“E pash që është duke më u bërë padrejtësi dhe dola nga vetura, vendosa duart mbrapa shpinës sepse në atë lagje jam rrit, i thash mos e shkruaj se nuk bëra shkelje nuk është nisje e vrullshme, atë moment më ka kap për dorë më ka bërtit hyr në veturë, unë jam larguar mbrapa, dhe ka nis mem gjujt sprej dhe ato momente jam shkuar pas veturës së një kojshije, pastaj në qantën time e kam pasur një grand pa sigures, e cila ka qenë e demontuar dhe nuk ka qenë e vërtetë“, deklaroi ai.

Tutje, Podrimja mohon të ketë pasur armë pa leje dhe pretendon se policët kishin sjellje jo korrekte, për çka thotë se është ankuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) e më pas është dorëzuar.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Në dosjen e Prokurorisë së Gjakovës, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, thuhet se i dyshuari ka refuzuar urdhrat e policëve në komunikacion dhe është shprehur me fjalët “dokumenta s’kom me veti po qikjo arsye s’osht e vërtetë hiç, e ska p… none që m’dënon mu, jau mar inatin e sju qet mirë hiç me mu”.

Siç thotë dosja, kur policët bëhen gati për arrestimin e tij I njëjti nxjerr një armë dhe shkon në drejtim të policëve me fjalën “unë ju vraj qitu, t’dekën ju lo”.

“…Pastaj shkon pas një veturë tjetër dhe zyrtaret policor i drejton armët dhe kërkojnë që të heq armën dhe të dorëzohet, por i njëjti nga çanta e tij nxjerr një granate dorë të cilën e mban tek gjoksi shkon dhe futet në veturën e tij me granat në dorë të cilën dyshohet se ia kishte hequr siguresën dhe i njëjti menjëherë largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në dosjen që ka parë Insajderi.

Prokuroria thotë se që nga momenti i kryerjes së veprës së dyshuar e deri më 22 shkurt i dyshuari ka qëndruar në arrati.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit deri më 23 mars të këtij viti. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark