Insajderi
Lajme

Importoi koncentrat pijesh të skaduar- kapet nga AUV firma e biznesmenit Bashkim Osmani, të akuzar për fajde

Insajderi
26 February 2026 - 16:07
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Importoi koncentrat pijesh të skaduar- kapet nga AUV firma e biznesmenit Bashkim Osmani, të akuzar për fajde
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar importin e mbi 21 mijë kilogramëve koncetrat për pije me afat të skaduar, të importuar në Kosovë nga Holanda nga firma e “Laberion SHPK”, pronar i së cilës është Bashkim Osmani. Osmani është i akuzuar për fajde në aktakuzën e Prokurorisë së Ferizajt.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë AUV’i përmes një njoftimi për media, ku thuhet se pas kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimit fizik të mallit nga inspektorët e agjencisë, është konstatuar se koncentrati për fije kishte afat të skaduar, shkruan Insajderi.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, njofton se ka refuzuar importin e një sasie prej 21,280 kg koncentrat pije (lëng portokalli – 65 përzierje aseptike konvencionale), i cili ishte eksportuar nga kompania ProdalimBV, me seli në Vierhavensstraat 30, 3029 BE, Rotterdam, Holandë, dhe importuar në Kosovë nga Laberion SH.P.K., 32 Llapi Street, Podujevë”, thuhet në njoftim.

“Pas kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimit fizik të mallit nga Inspektorati Fito Sanitar, është konstatuar se koncentrati për pije kishte afat të skaduar dhe, si pasojë, është ndaluar hyrja e tij në Republikën e Kosovës. Ky vendim është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore, i cili përcakton se produktet me afat të skaduar paraqesin rrezikshmëri të lartë për konsumatorët, dhe si të tillë, ato nuk lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës”, vijon njoftimi.

Emri i Bashkim Osmanit përmendet në aktakuzën e Prokurorisë së Ferizajt për fajde, të ngritur nga prokurori Rasim Maloku.

Në aktakuzën e prokurorisë, të siguruar nga Veriu.info, thuhet se Shefik Rexhepi dhe Bashkim Osmani dyshohet se i kanë dhënë 700 mijë euro me fajde pronarit të kompanisë ndërtimore “Bashkimi Projekt”, Abdurrahim Hasani, prej të cilave kanë marrë 70 mijë euro në muaj në emër të kamatës së fajdes.

Më pas i kanë dhënë edhe 230 mijë euro material ndërtimor (armaturë), ku borxhi total kishte arritur 980 mijë euro dhe për pasojë Abdurrahim Hasani ka paguar 1 milion euro në emër të fajdes.

Pronari i kompanisë së lëngjeve “Dona Laberion”, Bashkim Osmani, që ishte arrestuar në aksionin kundër fajdes më 2023, akuzohet se gjatë viteve 2020 dhe 2021 i kishte dhënë 200 mijë euro më fajde biznesmenit të dëmtuar Naim Berisha, pronar i kompanisë ndërtimore “Berisha Group”, i cili është dashur të paguajë 12 mijë euro në muaj në emër të kamatës së fajdes.

Përveç këtyre shumave të paguara në emër të fajdes, sipas aktakuzës, Bashkim Osmani i ka kërkuar Naim Berishës edhe një shumë prej 280 mijë euro.

Sipas prokurorit Rasim Maloku, dhënia e fajdeve nga Bashkim Osmani nuk kishte përfunduar me kaq, pasi që pronari i “Dona Laberion” akuzohet se në vitin 2022 i ka dhënë 80 mijë euro më fajde Besim Gashit, pronarit të “NTP Blendi”. Më pas të njëjtit i ka dhënë edhe 63 500 euro me fajde që pas dy muajsh t’i kthej 80 mijë euro. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark