Insajderi
Analiza

Dorëzim apo tërheqje? Pushteti i Vetëvendosjes në Fushë Kosovë tërhiqet për pezullimin e lejeve ndërtimore dhe rikthen vendimet e LDK-së

Insajderi
11 March 2026 - 14:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dorëzim apo tërheqje? Pushteti i Vetëvendosjes në Fushë Kosovë tërhiqet për pezullimin e lejeve ndërtimore dhe rikthen vendimet e LDK-së
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Vendimi për pezullimin e mbi 20 projekteve ndërtimore në Fushë Kosovë u prezantua si ndërhyrje për të rishikuar vendimet e qeverisjes së kaluar. Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë, komuna është tërhequr nga ky vendim dhe ka rikthyer në fuqi atë të vitit 2023. Deri më tani, administrata e Valon Prebrezës nuk ka dhënë përgjigje për arsyet e kësaj lëvizjeje

Gazeta Insajderi

Copy-Paste si Shpend Ahmeti. Pak a shumë kështu mund të përshkruhet deri tash qeverisja e Vetëvendosjes me fqinjin e Prishtinës dhe territorin ku si dikur në kryeqytet, biznes thelbësorë është industria e ndërtimeve të larta.

Fillimi i mandatit të Valon Prebrezës në krye të Komunës së Fushë Kosovës u shoqërua me një seri veprimesh që synonin të krijonin përshtypjen e një fillimi të ri në qeverisjen lokale.

Në javët e para të pushtetit pati deklarime për rishikim të vendimeve të administratës së kaluar dhe për hetime të mundshme lidhur me to. Disa dosje u dërguan në Prokurori, si pjesë e një narrative politike që synonte të tregonte se pushteti i ri do të ballafaqohej me vendimmarrjet e periudhës së mëparshme komunale.

Më pas, për këto raste pati pak informacione publike. As komente të mëtutjeshme nga Prebreza, e as nga Prokuroria.

Në fund të shkurtit erdhi një vendim tjetër që u prezantua si një ndërhyrje e madhe në sektorin e ndërtimit në Fushë Kosovë.

Më 26 shkurt, komuna njoftoi pezullimin e një numri të madh lejesh ndërtimi të dhëna gjatë qeverisjes së mëparshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që ishte në pushtet në Fushë Kosovë krejt pasluftën deri në fund të vitit 2025.

Vendimi i 2026-ës për anulimin e vendimit nr. 641 i datës 14.06.2023, u paraqit si një përpjekje për të rishikuar ligjshmërinë e disa projekteve ndërtimore dhe për të korrigjuar, sipas komunës, vendime të kontestuara të viteve të kaluara.

Pezullimi përfshinte mbi 20 objekte ndërtimore dhe lidhej me anulimin e një vendimi të vitit 2023 që kishte lejuar rritjen e koeficientit të ndërtimit në këmbim të shpronësimit për interes publik – një formulë që ishte përdorur për zhvillimin urban në këtë komunë.

Vendimi krijoi menjëherë reagime në sektorin e ndërtimit. Punimet në disa projekte u ndërprenë, ndërsa investitorët dhe qytetarët që kanë investuar në banesa në këto objekte mbetën në pasiguri për fatin e projekteve.

Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë, zhvillimet brenda administratës komunale kanë marrë një drejtim tjetër.

Tash më jo me bujë, por heshturazi. Madje heshtin edhe kur pyeten për të.

Derisa publiku ende e ka vetëm lajmin për anulim/pezullim të ndërtimeve, në arkivin e Fushë Kosovës është deponuar një shkresë tjetër: ajo që e anulon vendimin e Prebrezës dhe e lë në fuqi atë të vitit 2023, të kohës kur me këtë komunë qeveriste Burim Berisha i LDK-së.

Burime të Insajderit brenda Komunës së Fushë Kosovës konfirmojnë se administrata është tërhequr nga vendimi për pezullimin e lejeve dhe ka rikthyer në fuqi vendimet që ishin bllokuar më parë.

Gazeta Insajderi ka pyetur administratën e re në Fushë Kosovë, për të kuptuar arsyet që ata i shtynë që të i biejnë pishman inicativës së tyre, por deri më tani të njëjti nuk kanë kthyer përgjigje as për arsyet e as për ta mohuar këtë lëvizje. /Gazeta Insajderi/

Ky ishte vendimi që mori Valon Prebreza ditë më parë:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark