Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka larguar nga tregu qumështin Aptamil 1 dhe 2, përreth 9-10 paketime, si shkak i pranisë së toksinës cereulide.
Sipas njoftimit të AUV’it, janë importuar sasi shumë të kufizuara të aptamilit. Kjo, pasi që AUV’i disa herë radhazi ka ndaluar produktet e Aptamilit për shkak të pranisë së toksinave në të, shkruan Insajderi.
“Menjëherë pas pranimit të njoftimit përmes sistemit RASFF, AUV ka ndërmarrë kontrolle zyrtare në terren. Inspektimi është realizuar më datë 09.03.2026, me ç’rast është urdhëruar tërheqja nga tregu e produkteve në fjalë. Nga kontrollet e kryera nga inspektorët është konstatuar se produktet nuk ndodhen në shitje në treg, por janë të bllokuara në depo. Produktet aktualisht janë në procedurë të asgjësimit, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore”, thuhet në njoftimin e AUV.
“Bazuar në verifikimet e kryera deri më tani, nuk është konstatuar që këto produkte të kenë qenë në qarkullim në treg apo të jenë shitur tek konsumatorët. Si rezultat, rreziku për konsumatorët në Republikën e Kosovës konsiderohet shumë i ulët, ndërkohë që autoritetet kompetente vazhdojnë monitorimin e situatës në përputhje me procedurat e sigurisë ushqimore. Deri më tani nuk është pranuar asnjë raportim apo ankesë nga konsumatorët lidhur me këtë produkt”, vijon njoftimi.