Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit 30-ditor ndaj E.K. dhe A.K., të cilët ndodhen në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.
Sipas prokurorisë, që nga viti 2021, i pandehuri E.K. ka dhënë para viktimës B.Ç., duke shfrytëzuar gjendjen e saj të rëndë financiare, me përfitime dukshëm jo proporcionale, ndërsa vetëm nga kamatat B.Ç. ka paguar mbi 400,000 euro.
Në pamundësi për të përballuar borxhin, në skemë u përfshi edhe viktima e dytë B.B., duke rritur kërkesën e të pandehurve për 550,000 euro. Për të siguruar shumën, të pandehurit kanë kërkuar që viktima B.Ç. t’u kalojë dy lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë rreth një milion euro.
Prokuroria njofton se E.K. dhe A.K., përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore, e kanë kërkuar duke përdorur forcë dhe kanosje ndaj viktimave, duke i detyruar të shkojnë te përmbaruesi privat për procedurat noteriale, por policia ka ndërhyrë dhe i ka arrestuar.
Gjatë aksionit janë sekuestruar pasuri të ndryshme, para të gatshme, pajisje elektronike, kontrata, akte noteriale dhe prova materiale që lidhen me këto vepra penale.
Insajderi ka raportuar se të arrestuarit janë vëllezërit Eduard dhe Anton Kaçinari. Ata dyshohet se u kanë vënë viktimave fajde, ndërsa vlera e kamatave dyshohet të arrijë deri në rreth 1 milion euro.
FOTO: Anton Kaçniari
