Gazetarja Valmira Vranovci ka folur për dallimet dhe procedurat e lindjes në sektorin privat dhe atë publik në Kosovë.
Shkas për këtë diskutim është bërë një statistikë shqetësuese, sipas së cilës rreth 40% e grave në vend janë ndarë të pakënaqura me përvojën e tyre gjatë sjelljes në jetë të fëmijëve.
Vranovci përmendi sjelljen e stafit mjekësor, duke specifikuar se problemet më të mëdha shfaqen te stafi mbështetës, pra kryesisht mamitë.
“Dhuna verbale vjen pikërisht nga infermierët ose mamitë. Rralleherë ndodh nga gjinekologët apo mjekët e tjerë, sepse me ta ke më së paku punë. Me mjekun kontakton vetëm gjatë procesit të lindjes, e jo gjatë gjithë kohës së qëndrimit në spital”, tha ajo në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini.
Gjatë kësaj bisede, gazetarja u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë, veçanërisht Prokurorisë, që të jenë më aktive këtë aspekt.
Ajo kërkoi që organet kompetente të nisin hetime bazuar në denoncimet publike të grave në media dhe platforma të tjera, e të mos presin që materialet t’u dërgohen të gatshme.
/Insajderi