Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme cigaresh në Leposaviq, ndërsa personat e dyshuar kanë arritur të ikin në drejtim të Serbisë.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, rasti ka ndodhur pasditen e djeshme, kur zyrtarët policorë kanë ndaluar dy automjete që po transportonin cigare.
Në momentin kur të dyshuarit kanë vërejtur praninë e policisë, ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të Serbisë.
Gjatë kontrollit të automjeteve, policia ka gjetur dhe sekuestruar 101 paketa me cigare, me vlerë të përafërt rreth 80 deri në 85 mijë euro, si dhe një radiolidhje.
Me vendim të prokurorit, të dy automjetet janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për hetime të mëtejshme.