Ajo që nisi si një dorëheqje nga pozitat partiake, është shndërruar në një përplasje të hapur publike mes kryetares së partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, dhe deputetit Haxhi Avdyli.
Gërvalla, e pyetur mbrëmë për largimin e Avdylit, e minimizoi aktin e tij duke e cilësuar si një veprim emocional. “Doki është impulsiv dhe reagimin e tij e ka pasur si pakënaqësi”, deklaroi ajo, duke lënë të kuptohet se dorëheqja nuk ishte mirë e menduar.
Mirëpo, ky kualifikim nuk ka kaluar pa u vënë re nga Avdyli, i cili përmes një reagimi të gjatë dhe të ashpër, ka “shërthyer” ndaj Gërvallës, duke e akuzuar për injorancë dhe mungesë guximi.
“Akoma nuk arriti të lexojë drejt aktin e dorëheqjes sime” Avdyli u shpreh se vendimi i tij nuk ishte impulsiv, por pasojë e një situate ku partia po shkon drejt shuarjes.
Ai akuzoi Gërvallën se përmes “injorimit, mbylljes së zyrave dhe nënçmimit”, ka bërë që aktivistët të ikin një nga një.
“Sot me dashje apo pa dashje ky projekt politik po shkon drejt zhdukjes, ku s’ka më as kryesi as këshill të përgjithshëm me kuorum”, shkroi ai.
Në reagimin e tij, Avdyli nuk ka kursyer as detajet nga e kaluara, duke i kujtuar Gërvallës një incident në LDK kur ajo, sipas tij, kishte tentuar të futej me forcë në mbledhje.
“E më pak të bëj skena si ju, kur para më shumë se 10 viteve, tentove me forcë të merrje pjesë në takim të KP të LDK-së ku as nuk ishit anëtare, as nuk kishit ftesë… Dhe për ironi të fatit ishte e vetmja Vjosa Osmani atëbotë, që u solidarizua me ju deri në kacafytje”, ia kujtoi ai Gërvallës, duke shtuar se ministrja nuk pati guximin të thoshte asnjë fjalë mbështetëse për Presidenten Osmani ndaj shpifjeve të fundit.
Avdyli sqaroi gjithashtu se dorëheqja e tij nga funksionet në “Guxo” nuk do të thotë largim nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, ndonëse hodhi kunja se nëse Gërvalla ndërhyn për ta larguar edhe nga aty, ai nuk do të bëjë “skena” siç ka bërë ajo dikur.
Deputeti bëri të ditur se për një kohë do të qëndrojë larg debateve televizive, duke kërkuar mirëkuptimin e mediave./Insajderi