Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, ku një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me lëndime jashtëzakonisht të rënda, shkruan Insajderi.
Sipas njoftimit zyrtar nga SHSKUK, i mituri është pranuar në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve dhe me ndryshime gangrenoze.
Në momentin e pranimit, gjendja e fëmijës ishte tejet e rënduar. Përveç plagëve fizike, mjekët kanë konstatuar dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi të theksuara në komunikim.
Pas ekzaminimeve të para nga kirurgët plastikë dhe pediatrit, fëmija është hospitalizuar urgjentisht në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik. Për shkak të natyrës së lëndimeve dhe dyshimeve të forta për keqtrajtim, institucionet shëndetësore kanë alarmuar menjëherë Policinë e Kosovës dhe punëtorët socialë.
Aktualisht, 5-vjeçari po trajtohet nga një ekip multidisiplinar i përbërë nga kirurgë vaskularë, plastikë dhe ortopedë. Ndonëse parametrat vitalë raportohen të jenë stabilë, gjendja e tij mbetet e rëndë, veçanërisht në aspektin psikologjik, ku janë angazhuar edhe psikiatër të fëmijëve dhe psikologë.
SHSKUK bën të ditur se fëmija aktualisht ndodhet nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, pasi ai nuk ka asnjë përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor.
“Sot fëmija u vizitua edhe nga Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia për të parë nga afër gjendjen shëndetësore. Poashtu në koordinim me ministrin e Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare Andin Hoti dhe me Qendrën për Punë Sociale në Komunën e Lipjanit pritet që të merren të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtje ligjore dhe sociale”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.