Tre zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë janë ndaluar mëngjesin e sotëm nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Zyrtarët e ndaluar janë, ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK-së, Igballe Rexha-Jashari, zyrtari për procesimin e të dhënave, Albin Isufi, si dhe zyrtarja për aprovimin e lëndëve, Florije Lecaj.
Ata dyshohet se kanë kryer ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë “N.K.W.P Sh.P.K”, në një vlerë që tejkalon 50 mijë euro.
Gazeta Insajderi ka mësuar se përfitues i kësaj skeme dyshohet të jetë biznesmeni Ismet Berisha, i cili kishte përfituar dobi pasurore në vlerë mbi 50 mijë euro.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Supreme të Kosovës në vitin 2025, Berisha ishte shpallur fajtor për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Në vendim thuhet se ai kishte falsifikuar dokumente duke ndryshuar pronësinë e aksioneve të kompanisë “Newco Kosovatex Warehouse Pejton”, nga i ndjeri N.B., në emër të tij.

Po ashtu, në aktgjykim theksohet se këto dokumente të falsifikuara janë përdorur si prova pranë ARBK-së.

Ky rast lidhet drejtpërdrejt me aksionin e sotëm të Prokurorisë, ku autoritetet po hetojnë rolin e zyrtarëve të ARBK-së në mundësimin e këtyre ndryshimeve të dyshuara të paligjshme.
Sipas të dhënave në ARBK , kompania “Newco Kosovatex Warehouse Pejton Sh.P.K.” figuron si biznes aktiv me status të regjistruar. Aktualisht, si pronarë/aksionarë të kësaj kompanie rezultojnë Luljeta Berisha dhe Erëza Berisha, të cilat zotërojnë nga 50 për qind të kapitalit secila.
