Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” ka propozuar që të futen në listë të zezë kompanitë “Schafberger Jr GMBH” dhe “Erik SHPK”. Kjo, për shkakun se në një tender për mirëmbajtjen e objekteve të këtij universiteti në vlerë prej afro 600 mijë eurosh kishin tentuar të manipulonin me dokumente, si dhe kishin prezantuar licenca të skaduara. Gazeta Insajderi ju sjell detaje:
“Autoriteti Kontraktues, Universiteti “Ukshin Hoti” – Prizren, në kuadër të procedurës së prokurimit me titull “Ofrimi i shërbimeve të pastrimit dhe mirëmbajtjes së objekteve të Universitetit”, me nr. të prokurimit 208/91900-25-10811-2-1-1, paraqet këtë kërkesë për zbatimin e Nenit 99.2 të Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në kërkesën që Universiteti i Prizrenit ia ka dërguar Gjykatës së Tenderëve, të cilën e ka siguruar Insajderi. Pra, ka kërkuar që “Schafberger Jr GMBH” dhe “Erik SHPK” të procedohen në listë të zezë.
Në gjetjet e parashtruara para OSHP’së, Universiteti i Prizrenit ka arritur të gjejë manipulime lidhur me standardet ISO, të kërkuara sipas dosjes së tenderit, raporton Gazeta Insajderi.
Rrjedhimisht, për certifikatën ISO 45001, nga verifikimi në platformën e International Accreditation Forum rezultoi mospërputhje në numër dhe datë, si dhe ekzistencë e një certifikate tjetër të skaduar që është dorëzuar nga ana e konserciumit “Schafberger Jr GMBH” dhe “Erik SHPK”, që tashmë janë proceduar për në listë të zezë.
Po ashtu, sipas dosjes së tenderit, është kërkuar një menaxher i certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare për menaxhimin e riskut, me përvojë pune minimale 3 vite pas certifikimit. Nga verifikimi online që ka bërë Universiteti i Prizrenit rezulton se certifikata e vitit 2022 është e anuluar (Canceled), pra nuk ka qenë valide për të llogaritur përvojën, ndryshe nga një certifikatë e skaduar (Expired), e cila ka qenë valide deri në përfundim të afatit.
Po ashtu, në shpalljen e kompanive si të papërgjegjshme për tenderin, zyra për prokurim në këtë universitet ka gjetur shkelje të tjera. Kompanisë Erik SHPK i ka munguar leja ose vërtetimi i lëshuar nga Komuna e Prishtinës, sikurse është kërkuar në dosje të tenderit.
“Dëshmia 3. Leja e punës apo vërtetim në rast mungese të lejeve nga komuna ku vepron (valide, kopje). Çdo zbulim i informatave të rrejshme apo mashtruese AK do të vepron konform Nenit 99.2 të LPP-së”, thuhet në kriteret e përshtatshmërisë profesionale.
Ndër të tjera, Universiteti i Prizrenit gjen edhe se me çmimin që kanë ofruar ky konsercium nuk mund të mbulojnë as pagat e as pushimet vjetore të punëtorëve të regjistruar për këtë tender.
Po ashtu, identifikohen edhe mungesa e pajisjeve të kërkuara, siç janë makinat për pastrim, për larje tepihësh, e për pastrim zyresh.
“Ju keni vendosur në ofertë disa dokumente si: fatura, mirëpo nuk i posedoni pajisjet e kërkuara; a) OE duhet të ketë të gjitha llojet e makinave për pastrimin e dyshemesë dhe lustrim 10 copë, Makinë me motor për pastrimin e hapësirave të jashtme (makina duhet të jetë me fshesë) 5 copë Makinë për larjen e tepihëve 2 copë Karrocë profesionale e madhe për pastrim të zyreve 10 copë, Makinë me ulëse me motor me gaz (LPG) për larjen dhe fshirjen e dyshemes, me kapacitet së paku 150L për ambiente të jashtme dhe të brendshme. Ta posedoj sistemin pastrim ekologjik pa detergjent (ec-H2O) 1 copё”, thuhet më tej.
Ky grup i operatorëve ekonomik kanë përgjegjësi për pastrimin e hapësirave të Univeristetit të Prishtinës. Punonjësit teknikë të këtyre kompanive po paguhen nën pagën minimale. Kështu të paktën ka thënë Jusuf Azemi, kryetari Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, së fundmi në një prononcim për media.
Ai deklaroi se punëtorët teknikë fizik në Universitetin e Prishtinës marrin pagë 292 euro dhe se nuk po respektohet paga minimale për ta.
“Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik edhe sot marrin pagë (nën minimalen) jashtëligjshëm, d.m.th nuk e marrin as pagën e tetorit të vitit 2024. Ne kemi kërkuar nga këta, ta inspektojnë dhe ta vërtetojnë. Ne po flasim që nuk është edhe paga minimale 350 euro kur ka qenë në tetor të vitit 2024”, ka thënë Azemi.
Si shkak i këtyre pagave, Inspektorati i Punës ka gjobitur që të dy kompanitë.
Schafberger Jr GMBH paga nën minimalen jepte edhe në Kuvendin e Kosovës.
Në shtator të vitit 2024, punëtoret teknike të kompanisë “Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë”, të cilat ofronin shërbime mbështetëse në Kuvendin e Kosovës, nisën një grevë brenda hapësirave të këtij institucioni me kërkesën për rritjen e pagave, nga 270 në 550 euro.
Punëtoret teknike, të cilat qëndruan në grevë për 79 ditë, nuk ishin të punësuara drejtpërdrejt nga Kuvendi i Kosovës, por ishin pjesë e kompanisë “Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë”, e cila kishte fituar kontratë një burimore për ofrimin e shërbimeve mbështetëse. /Insajderi.org/