Komuna e Prishtinës ka marrë masa të menjëhershme pas incidentit të ndodhur në një punishte ndërtimore në rrugën “Don Shtjefën Kurti”.
Sot, kryetari Rama ka paralajmëruar për pezullimin nga detyra të disa inspektorëve dhe një zyrtari përgjegjës, si pasojë e dyshimeve për neglizhencë në mbikëqyrjen e punimeve.
Sipas burimeve të Sinjalit, personat e suspenduar janë inspektorët Elion Ademi, Lorik Zhubi dhe zyrtarja Drenusha Bedra-Ukasi.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hapur rast për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” pas shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”.
Siç bëhet e ditur në raportin ditor të PK’së, pronari i kompanisë “Klub Invest” është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
I njëjti është liruar në procedurë të rregullt.
“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Prishtinë 29.03.2026, 15:00. Është raportuar për shembje të dheut, ku si pasojë rruga është bërë e pakalueshme. Lidhur me rastin në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e PK’së. /Insajderi.org/