Të burgosurve në burgjet e Kosovës u është shtrenjtuar tarifa telefonike. Me ardhjen e ministres së re të Drejtësisë, Donika Gërvalla, këto tarifa kanë kaluar nga një pagesë mujore prej rreth 5 euro në tarifim për minutë deri në 17 cent.
Familjarët e të burgosurve po alarmojnë se tarifat e reja janë bërë të papërballueshme, ndërsa institucionet arsyetohen me avancim të teknologjisë dhe ndryshime në sistem.
Sipas ankesave, sistemi i ri i tarifimit e bën komunikimin shumë më të kushtueshëm, sidomos për të burgosurit që nuk kanë të ardhura të qëndrueshme. Ilir Qerimi, familjar i një të burgosuri, e konsideron këtë si cenim të një të drejte themelore – kontaktin me familjen.
“Veçanërisht shqetësuese është fakti që shërbimet ofrohen nga operatori shtetëror VALA, ndërkohë që në tregun e lirë qytetarët për një shumë më të ulët përfitojnë paketa shumë më të favorshme (internet dhe thirrje pa limit)”, shkruan Qerimi në ankesën drejtuar Ministrisë së Drejtësisë.
Në përgjigje për Insajderin, Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë deklaruar se kabinat telefonike menaxhohen nga Telekomi i Kosovës dhe se çmimet përcaktohen nga vetë kompania.
“Kabinat telefonike të vendosura në institucionet korrektuese menaxhohen nga Telekomi i Kosovës. Kabinat e vjetra telefonike, për shkak të zhvillimeve dhe ndryshimeve teknologjike, janë zëvendësuar nga Telekomi me kabina të reja me teknologji të avancuar. Çmimet e tarifave përcaktohen nga vetë kompania që ofron këto shërbime”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Sipas tyre, ankesat e të burgosurve për çmimet e larta dhe mungesën e pakove më të favorshme janë përcjellë vazhdimisht te operatori.
“Nga Telekomi kemi pranuar përgjigjen si në vijim: Ofrimi i mundësisë për blerjen e pakove që do të përdoreshin nga kabinat (payphone) aktualisht ka kufizime teknike dhe, për rrjedhojë, nuk është i realizueshëm”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Megjithatë, Telekomi mbrohet duke theksuar se ka aplikuar zbritje për disa kategori thirrjesh. Sipas tyre, thirrjet brenda rrjetit Vala kushtojnë 0.08 euro për minutë, që paraqet rreth 53% zbritje nga çmimi standard, ndërsa për thirrjet drejt IPKO-s tarifa mbetet 0.15 euro për minutë./Gazeta Insajderi/