Insajderi
Lajme

I dëmtuari para gjykatës deklaron se pagoi një milion euro fajde, thotë se edhe 500 mijë euro i kanë mbetur borxh

Insajderi
07 April 2026 - 20:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
I dëmtuari para gjykatës deklaron se pagoi një milion euro fajde, thotë se edhe 500 mijë euro i kanë mbetur borxh
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Naim Sahiti, Ariton Sahiti, Begzat Sahiti, Shkëlzen Sahiti dhe Jeton Fetahu, u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për fajde, shpërlarje parash e vepra tjera penale. Në këtë seancë u dha edhe fjala hyrëse nga palët në procedurë dhe u dëgjua dëshmitari- i dëmtuari A.M., i cili tregoi për shumat e parave që ishte detyruar t’i paguante.

Sipas aktakuzës, Naim e Artion Sahiti akuzohen për “Fajde”, “Shpëlarje parash” e “Kanosje”, Begzat Sahiti akuzohet për “Shpëlarje parash”, kurse Shkëlzen Sahiti dhe Jeton Fetahu akuzohen për “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Të gjithë të pandehurit fillimisht u deklaruan të pafajshëm.

Në këtë seancë u dëgjua i dëmtuari A.M., i cili deklaroi se të akuzuarit nuk i ka njohur deri në vitin 2020, në ditën kur prindërit e tij e kanë njoftuar se vëllai i tij, i dëmtuari E.M., kishte problem me një person- tani të akuzuarin Ariton Sahiti.

“E.M., më tha se e ka shitë banesën, se e ka pas një punë me Aritonin, por nuk më kallxojke drejt se çka është problemi”, tha M.

Gjithashtu, A.M., shtoi se sipas vëllait të tij, banesa ishte shitur për 36 mijë euro, por askush nuk i kishte parë ato para dhe se nuk kishte dokument për shitjen e banesës.

Në vijim, i dëmtuari deklaroi se për herë të parë ishte takuar me të akuzuarin Sahiti, në shtëpinë e prindërve të tij në Gjilan, kurse pastaj ishte takuar me të në zyrën e tij në Zyrih, ku kishte shkuar pa njoftim për të diskutuar mbi banesën e shitur dhe kishte kërcënuar të dëmtuarin E.M., përmes telefonit në prezencën e tij.

“Pas një kohe e kam kuptu nga vëllai im, qëllimi ka qenë pasi që u shkatërrua totalisht vëllai im, me ardhë te unë, sepse i kam pas punët mirë dhe Aritoni e ka ditë që kam qenë i sukesshëm”, shtoi M.

I dëmtuari deklaroi se i akuzuari Sahiti vazhdmisht i kërkonte të hollat për banesën, duke kontaktuar të dëmtuarin E.M., dhe duke e kërcënuar në prezëncën e tij. Tha se nuk kishte kontakuar policinë nga frika prej kërcënimeve të Sahitit.

Po ashtu, ai sqaroi se pasi ishte takuar me babanë e Sahitit, të akuzuarin Naim Sahiti, ata i kanë ofruar 20 mijë euro, për të cilat e detyruan t’i kthente me kamatë 20%, por që ato para nuk i ka parë kurrë.

I dëmtuari deklaroi se nga ajo ditë kanë filluar kërcënimet, ku e detyruan që çdo muaj të paguante të akuzuarin Naim Sahiti 5 mijë franga, të cilat i dorëzonte te i akuzuari Ariton Sahiti. Ai shtoi se kjo zgjati deri në vitin 2022 kur janë arrestuar, në periudhë rreth 2 vite e gjysmë.

“Për 2 vite sa kam qenë në presion të tyre ka arrit shifra mbi 1 milion euro dhe 500 mijë euro kanë mbet borxh”, tha Murati.

Paraprakisht, në fjalën hyrëse prokurorja speciale Florie Salihu-Shamolli, deklaroi se përmes të gjitha provave, duke filluar nga deklaratat e të dëmtuarve dhe provat materiale, do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve.

Ajo shtoi se Prokuroria, gjatë fazës së hetimeve e deri në ngritje të aktakuzës, ka mbledhur një numër të madh të provave, me çka ka ardhur deri në përfundimin se është kryer vepra penale.

“Duke analizuar ato një nga një, Gjykata do të bindet se te akuzuarit janë fajtorë”, deklaroi Shamolli.

Përfaqësuesi i të dëmtuarve A.M., E.M., dhe F.B., avokati Halit Shaljani mbështeti fjalën hyrëse të prokurores dhe shtoi se do të vërtetohet se të dëmtuarit kanë pësuar dëme materiale të konsiderueshme nga të akuzuarit Naim dhe Ariton Sahiti, e përveç dëmit material kanë pësuar edhe dëme në aspektin shëndetësor si pasojë e presioneve dhe kërcënimeve.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin se në aktakuzë nuk janë propozuar si palë e dëmtuar edhe persona tjerë të familjes M., të cilët ishin detyruar të nënshkruajnë kontratë për shitblerje, dhe të cilëve sipas tij, u është marrë pronësia e shtëpisë përmes kontratës nën presion.

Shaljani shtoi se njëkohësisht kërkojnë edhe kompensimin e dëmit nga të akuzuarit Naim dhe Ariton Sahiti, vlerë e cila sipas kalkulimit të të dëmtuarve është 930 mijë franga, e në këtë shumë janë të përfshira edhe 4 vetura.

Ndërsa, sa i përket të pandehurit Begzat Sahiti, avokati tha se i njëjti vullnetarisht ka vepruar për anulimin e dy kontratave, duke rikthyer dy shtëpi në pronësinë e familjes së dëmtuar, andaj nuk kërkojnë kompensim dëmi nga ai.

Sa i përket të pandehurit Shkëlzen Sahiti, Shaljani tha se nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe nuk kërkojnë kompensim dëmi.

Në vazhdim, u dhanë fjalët hyrëse të mbrojtësve të të akuzuarve, në të cilat kundërshtuan aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe u deklaruan se aktakuza nuk vërteton se të akuzuarit kanë kryer veprat në fjalë.

Mbrojtësja e të akuzuarit Ariton Sahiti, avokatja Shemsije Asllani pas një konsultumi me të mbrojturin e saj, propozoi që të ndërpritet seanca dhe t’i ofrohet mundësia që të negoicojnë një marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë.

Një propozim të tillë, e bëri dhe avokatja Merita Lumezi për të mbrojturin e saj, Naim Sahitin.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti akuzohen se nga viti 2020 deri në vitin 2022 në Gjilan, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, në bashkëkryerje kanë kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (fajdesë), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit A.M., nga Gjilani.

Aktakuza thotë që në fillim të vitit 2020, ia kanë dhënë shumën në vlerë prej 20 mijë euro, nga këto të pandehurit që për një muaj t’i llogaritet 20% interes apo 4 mijë euro dhe pasi nuk ka qenë në gjendje t’ua paguajë këtë shumë, pas 4 muajve ia kanë dhënë edhe shumën prej 30 mijë euro me të njëjtin interes, në vlerë prej 20% apo 6 mijë euro, e i cili interes në vlerë prej 10 mijë euro, ka vazhduar për disa muaj, ku për këtë shumë është detyruar që 5 mijë euro euro në muaj t’ia transferojnë përmes llogarisë bankare në formë të pagës dhe për një vit rresht deri në fillim të vitit 2022.

Kjo gjendje, aktakuza thotë se ka vazhduar derisa interesi është bërë 16 mijë e 800 euro në muaj, e të cilën shumë e ka paguar vetëm një muaj. Përveç shumës së parave në emër të borxhit i cili ka rrjedhë nga fajdeja, të pandehurit nga i dëmtuari kanë marrë edhe paluajtshmëri dhe atë tri shtëpi në vlerë prej 175 mijë euro, një banesë 60 mijë euro, si dhe dy vetura në vlerë prej 39 mijë euro, e që njërën veturë e kanë marrë nga personi F.B., ku dëmi total për të dëmtuarin A.M., nga shumat e parave, pronave të paluajtshme dhe të luajtshme arrin shumën prej 366 mjë euro, ku një pjesë e paluajtshmërive apo dy shtëpitë e tij i janë kthyer pas fillimit të procedurës në vlerës prej 115 mijë euro dhe dëmi i mbetur tani është 251 mijë euro.

Tutje, në aktakuzë thuhet se nga viti 2020 deri në vitin 2022, në Gjilan edhe në Zvicër, në vazhdimësi e me dashje, të pandehurit në këmbim të shërbimit (fajdesë), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.B., që në fillim të vitit 2020, ia kanë dhënë shumën në vlerë prej 20 mijë franga (chf), më pas shumën prej 16 mijë franga, më vonë edhe shumat prej 20 mijë e 10 mijë franga, ku totali i shumës së parave të marra ka qenë 66 mijë franga, e për të cilat para në fund të vitit 2020 ka paguar shumën prej 100 mijë, ndërsa në pjesën tjetër për të njëjtën shumë ka paguar rreth 20 mijë franga kamatë mujore për 13 muaj. Borxhi në total në emër të fajdesë për të dëmtuarin F.B., arrin shumën prej 360 mijë franga, i cili dëm ka ardhur si rezultat i marrëveshjes që në fund të paguhet shuma prej 75 mijë franga.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par.3, lidhur me par.1 dhe me nenin 77 dhe 31 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga koha e papërcaktuar e deri më 31 gusht 2022, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, duke e ditur se pasuria e përfituar gjatë kësaj kohe si dhe shumat e parave kanë rrjedhë nga aktiviteti i tyre kriminal, pasuri e cila është fituar nga veprat penale të fajdesë, kanë përpiluar kontrata fiktive të shtiblerjes së pronave, marrëveshje kinse për kthim të borxhit, barjten e pronave në emër të personave të tretë, e të cilat veprime janë ndërmarrë me qëllim që pasuria e krijuar të duket se është rezultat i burimit të rregullt të pasurisë.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kanë marrë gjithashtu veprime duke transferuar mjete në llogari të palëve të treta, ku ata më vonë kanë lidhë kontrata në banka si marrëveshje mbi depozitat me afat, shuma të tjera nga shitblerjet e pronave, ku këto shuma të të ardhurave të tyre të shitblerjes së paluajtshmërive nuk e arsyetojnë shumën e transaksioneve të bëra, shumë kjo rreth 2 milionë e 971 mijë euro si dhe 16 parcelave, me vendim të gjykatës është ngrirë me urdhër ndalues afatgjatë.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parasë”, nga neni 302, par.1 dhe nga neni 31 i Kodit Penal, lidhur me nenin 56 të Ligjit nr. 05/L-096, për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Sipas aktakuzës, më 31 gusht 2022, të pandehurit Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti, kanë kanosur seriozisht të dëmtuarit A.M., dhe E.M., duke iu kërkuar “që ta lirojnë shtëpinë deri në ora 12:00 ose ka të qu në ajër”, e që kjo kanojse ka ardhur si rezultat i veprës tjetër penale të fajdesë, ku e njëjta shtëpi iu është dhënë të pandehuve për të paguar interesin e shumave të mëdha të parave e që janë marrë me fajde, ku me këto veprime të pandehurit kanë krijuar pasiguri për jetën dhe pasurinë e të dëmtuarit dhe familjarëve të tij.

Më këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.4 lidhur me par.1 dhe me nenin 31 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, Begzat Sahiti akuzohet se në vitin 2022 me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për të tjerët, sidomos për Naim Sahitin dhe Ariton Sahitin, iu ka ndihmuar, duke e ditur se pasurisë e përfituar gjatë kësaj kohë si dhe shumat e parave kanë rrjedhë nga aktiviteti i tyrre kriminal, pasuri e cila është fituar me veprat penale të fajdesë, ka përpiluar kontratë fiktive të shitblerjes së pronës- të një shtëpie, duke e bartur në emrin e tij, me qëllim  që pasuria e krijuar të duket se është rezultat i burimit të rregullt të pasurisë, ku i pandehuri ka marrë gjithashtu veprime duke transferuar mjete në llogari të palëve tani të dëmtuara.

Me këtë, akuzohet se ka kryer vperën penale “Shpëlarja e parasë”, në ndihmë, nga neni 302, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal dhe me nenin 56 të Ligjit nr.05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorzimit.

Në aktakuzë thuhet se Shkëlzen Sahtit akuzohet se më 31 gusht 2022, në kohë të pacaktuar në Gjilan, me dashje dhe me qëllim të nxitjes së frikës tek i dëmtuari A.M., që të përmbahet nga dhënia e deklaratës, të ndryshojë të njëjtën apo të mos japë informacione të vërteta pranë organeve të drejtësisë lidhur me rastin e të pandehurve Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti të paraburgosur për shkak të veprës penale “Fajdeja”, ka kanosur seriozisht të dëmtuarit.

Aktakuza thotë se i akuzuari Shkëlzen përmes llogarisë në Facebook me emrin “Xeni Trans” e kanos me fjalët “o m… qa ki bo, ku po takohemi se po më vyen edhe nanes tande hargj i ka qu, ti ka largu brogjlit prej shpisë marre”, pastaj me qëllim të ndikimit të drejtpërdrejtë përpiqet që të vendos një takim me të, duke i kërkuar të takohen se kinse do të shkojë me babain e tij, ndërs apërmes thirrjeve në MSN të Facebook-ut, e kanos me fjalët “unë e kam djalë të axhës atë, kujdes se unë e daj të mirën dhe të keqen me ta”, e po ashtu edhe gruan e vëllait të të dëmtuarit e përcjellë me veturë, kështu tek i dëmtuari ka nxitur frikë, ankth dhe pasiguri.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 386, par.2 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, Jeton Fetahu akuzohet se më 15 janar 2023 në kohë të pacaktuar në Gjilan, me dashje dhe me qëllim të nxitjes se frikës tek i dëmtuari A.M., që që të përmbahet nga dhënia e deklaratës, të ndryshojë të njëjtën apo të mos japë informacione të vërteta pranë organeve të drejtësisë lidhur me rastin e të pandehurve Naim Sahiti, Ariton Sahiti, Begzat Sahiti dhe Shkëlzen Sahiti, për shkak të veprave penale të fajdesë, detyrimit, kanosjes, pengimit të provuarit apo procedurës zyrtare dhe pastrimit të parave, ka kanosur seriozisht të dëmtuarin përmes llogarisë në Facebook me emrin “Toni Toni”, duke ia shkruar fjalët “O me gru e me krejt qa i ki ko me ti .. ne …që Tonin e Naimin i ke shti në burg, me ty e me Erollin e me familje ko me ti vra”, andaj tek i dëmtuari ka nxitur frikë, ankth dhe pasiguri.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark