Gjinekologu Afrim Veliu, rezulton të jetë një nga mjekët më të pasur në vend.
Sipas regjistrit të fundit të pasurisë, të deklaruar në janar të këtij viti në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, vlera e pronave të tij kap shifra milionëshe.
Doktor Veliu ka deklaruar një listë të gjatë të pronave, ku dominojnë blerjet e viteve të fundit.
Arë me vlerë 1,353,280.00 euro, e blerë në vitin 2025, truall me vlerë 850 mijë eurove, i blerë në vitin 2021, truall me vlerë 600 mijë euro, i blerë në vitin 2019, truall me vlerë 260,mijë euro, i blerë në vitin 2014, shtëpi 400 metra katror, e trashëguar, me vlerë 240 mijë eurove.
Ai ka deklaruar poashtu që posedon edhe pesë banesa me vlera që variojnë nga 65 mijë deri në 120 mijë euro secila.

Ndonëse mban pozitën e mjekut në shtet, pjesa dërrmuese e të hyrave vijnë nga sektori privat dhe qiratë.
105 mijë e 167 euro nga institucioni privat “BI MEDICA+”, pastaj 55 mijë euro nga “Klinika Amerikane” , afro 38 mijë euro të hyra vjetore nga qiraja.
Gjinekologu ka deklaruar se nga QKUK merr 10 mijë euro paga vjetore.

Veliu mban shuma të konsiderueshme parash në llogari rrjedhëse dhe kursime.
Ka rreth 166 mijë euro para të gatshme në katër banka (TEB, NLB, Raiffeisen dhe Procredit).
Ndërkohë, tek pasuria e luajtshme ai ka deklaruar se në vitin 2024, ka blerë një veturë Mercedes-Benz në vlerë 80 mijë euro.

Mjeku ka deklaruar edhe obligime financiare ndaj bankave.
Ka rreth 78 mijë euro borxh të mbetur për blerjen e një pajisjeje ultrazeri dhe një trualli.
Emri i tij u lakuar së fundmi në media pas arrestimit të personave të dyshuar për kanosjen e tij./Insajderi