Insajderi
Lajme

Kica-Xhelili, VV-së: Ligji për Byronë është vetëm për fushatë, po u hidhni hi syve qytetarëve

Insajderi
17 April 2026 - 15:28
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kica-Xhelili, VV-së: Ligji për Byronë është vetëm për fushatë, po u hidhni hi syve qytetarëve
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe Ministrisë së Drejtësisë lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë, duke e cilësuar atë si një mjet të pastër për propagandë elektorale.

Gjatë seancës në Kuvend, Kica-Xhelili u shpreh se nxitimi për të kaluar këtë projektligj me shmangie të procedurave vërteton se qëllimi i vetëm i pushtetit është fushata.

“Paj, hajgare të paktën bëni, pranojeni që e paskeni sjellë këtë projektligj për zgjedhje, për propagandë elektorale. Përndryshe hajgare po bëni me këtë popull,” tha ajo drejtuar ministres Gërvalla.

Deputetja sfidoi Grupin Parlamentar të LVV-së që të bëjnë një verifikim të të gjithë zyrtarëve nga viti 2008 e tutje për të parë se sa prej tyre kanë familjarë jashtë vendit që u dërgojnë shuma modeste.

Ajo pyeti ministren se si mund të konsiderohet legjitime që të kërkohet verifikimi i personave që marrin nga 100 euro në muaj nga familjarët.

Sipas Kica-Xhelilit, ky ligj po prezantohet si luftë kundër korrupsionit vetëm për të manipuluar qytetarët, ndërkohë që personat që duhet të ishin cak i Byrosë gjenden brenda vetë pushtetit.

“E dukshme është se ata shpirtmëdhenj për të cilët është synuar byroja, i keni brenda jush. Dhe për t’i hedhur hi syve qytetarëve, dëshironi t’i manipuloni me këto projektligje që do të jenë të pazbatueshme,” theksoi ajo.

Deputetja deklaroi se është e pamundur të besohet në seriozitetin e qeverisë kur bëhet fjalë për një ligj që prek të drejtat e njeriut dhe privatësinë, i cili tashmë është rrëzuar një herë nga Gjykata Kushtetuese, duke insistuar se e gjithë kjo lëvizje ka vetëm një pikë: zgjedhjet.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark