
Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ka dhjetë ditë që nuk po arrin ta gjejë ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Sylën.
“Udhëheqësi i grupit, Azem Syla, deputet i Parlamentit, është në arrati në këtë moment. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës gjatë dhjetë ditëve të fundit për ta përcaktuar vendndodhjen e Azem Sylës, ai nuk është gjetur dhe i ka ikur administratës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Bazuar në këtë njoftim, Syla është duke u kërkuar që nga data 17 shkurt e këtij viti. Por deputeti i PDK-së gjatë kohës që kërkohej nga autoritetet policore kishte takuar dy prej krerëve të shtetit.
Më 25 prill të këtij viti ishte i pranishëm në përurimin e shkollës “Xheladin Gashi – Plaku në fshatin Komoran. Kjo shkollë mban emrin e një ish-luftëtari të UÇK-së.
Bashkë me Sylën në këtë inaugurim ishin edhe kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i parlamentit Kadri Veseli. Po ashtu pjesëmarrës ishte edhe Arsim Bajrami, ministër i Arsimit. Prania e të arratisurit shihet në pamjet e kronikës së transmetuar nga Klan Kosova.
Syla është ende në kërkim të autoriteteve. Sot është bastisur shtëpia e tij në Kisharekë të Drenasit. Ai nuk është gjetur aty. Përveç tij, aksioni i sotëm i EULEX-it ka përfshirë edhe pesëdhjetë veta tjerë të dyshuar për krim të organizuar.
Mes tyre ka gjyqtarë, zyrtar komunalë, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, etj. /Insajderi