Insajderi
Hulumtime/Analiza

Afera që u tentua të fshihej në BKS, Insajderi sjell emrat e punonjësve që morën pagesa të dyshimta dhe si funksiononte skema

Insajderi
27 April 2026 - 13:58
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Afera që u tentua të fshihej në BKS, Insajderi sjell emrat e punonjësve që morën pagesa të dyshimta dhe si funksiononte skema
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një hulumtim disa mujor i Gazetës Insajderi për Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS), i nisur menjëherë pas arrestimeve të janarit 2026 për aferën e pagesës së dëmeve të fryra ose që nuk kanë ekzistuar fare, ka zbuluar se në këtë institucion ka funksionuar edhe një skemë tjetër e dyshimtë financiare. Sipas dokumenteve të siguruara, disa punonjës të BKS-së kanë përfituar pagesa shtesë përtej pagës zyrtare, të cilat më pas janë tërhequr në para cash. Hulumtimi i Insajderit zbardh mënyrën se si funksiononte kjo skemë dhe disa nga personat që figurojnë si përfitues.

Visar Duriqi

Pas 39 arrestimeve për dëmet e fryra të aksidenteve në janar 2026, një raport i auditimit të brendshëm ka zbuluar një skemë tjetër edhe më të thellë: transferime të parave në llogari private të punonjësve, pagesa të dyfishta, qarkullim të madh të parasë së gatshme dhe dyshime për një sistem të brendshëm “cash-back” brenda Byrosë Kosovare të Sigurimit.

Kjo dosje, ndryshe nga rasti i ish-drejtorit Sami Mazreku dhe ish-shefit të financave Valon Berisha, sipas dokumenteve është tentuar të mbahet larg vëmendjes publike, ndërsa Banka Qendrore e Kosovës ka trajtuar çështjen vetëm përmes masave administrative.

Raporti i dytë i auditimit të brendshëm, pas atij për dëmet e dyshimta që çuan në arrestime, është dorëzuar në fund të dhjetorit 2024 në Bankën Qendrore të Kosovës, si institucion mbikëqyrës, dhe i është përcjellë zyrtarisht Guvernatorit Ahmet Ismaili dhe Zëvendësguvernatorit Milot Cakaj.

Dokumentet e siguruara nga Gazeta Insajderi tregojnë se kjo skemë nuk ka qenë e kufizuar vetëm te punonjës të nivelit të ulët. Përkundrazi, lista e përfituesve, sipas auditimit dhe vendimeve të brendshme, shtrihet deri te struktura drejtuese e institucionit.

Fillimisht, në fund të shkurtit 2026, BKS tentoi ta mbyllte rastin me 12 emra — kryesisht staf administrativ dhe punonjës të pikave kufitare:

Meriton Berisha, Doruntina Stublla, Lavdim Statovci, Lindita Cakaj, Saranda Sogojeva, Vanesa Gashi, Arta Kastrati, Ilir Prapashtica, Bashkim Vitija, Fatime Hamiti, Liridon Makolli dhe Afrim Kryeziu.

Këta u vendosën përballë një komisioni disiplinor, në një proces që sipas dokumenteve synonte ta paraqiste çështjen si shkelje individuale dhe jo si skemë të organizuar.

Megjithatë, paralelisht me këto zhvillime, Prokuroria Themelore në Prizren, e cila po heton rastin e dëmeve të dyshimta me vlerë mbi 1.3 milionë euro, ka nisur të trajtojë në mënyrë të pavarur edhe këtë aferë të re financiare.

Përpjekja e BKS-së për hetime të brendshme nuk zgjati shumë.

Vetëm një ditë pasi Insajderi kërkoi sqarime për konfliktin e interesit brenda komisionit disiplinor, më 31 mars 2026, ndodhi një zhvillim i pazakontë: Faik Sylejmani, Drejtor i Departamentit Ligjor — i caktuar fillimisht si “hetues” i rastit — u largua nga ky rol.

Arsyeja u bë më e qartë dy javë më vonë.

Me vendimin e 14 prillit 2026, lista e të dyshuarve u zgjerua në 16 persona, duke përfshirë edhe figura të menaxhmentit të lartë: Faik Sylejmani, Rezarta Tafilaj (Drejtoreshë e Departamentit të Sigurimit Kufitar), Edona Ahmeti (Drejtoreshë e Departamentit të Kartonit të Gjelbër dhe MOU) dhe Valmir Rexha (Mbikëqyrës i Dëmeve).

Edhe pse raporti i auditimit të brendshëm nuk përmend shifra, sic nuk përmendin as dokumentet për vendim të komisionit disiplinor, Insajderi merr vesh që në disa raste, disa punonjës të BKS-së morën deri në 5 mijë euro shtesë- pos pagës.

Pyetjet e Insajderi të datës 30 mars 2026 ndryshuan edhe listën edhe funksionimin e komisionit. Në këtë mënyrë, i njëjti person që kishte rol në hetimin e brendshëm, përfundoi vetë në listën e të dyshuarve.

Ky zhvillim përforcon gjetjet e raportit të auditimit të dhjetorit 2024, i cili paralajmëronte se problemi nuk qëndronte te individët e izoluar, por te vetë mënyra e funksionimit financiar të institucionit.

Sipas raportit, që tash e ka Insjderi ani pse as BKS-ja as BQK-ja nuk e dha me kërkesë, një nga praktikat më problematike ka qenë transferimi i drejtpërdrejtë i mjeteve të BKS-së në llogaritë private të punonjësve — praktikë e cilësuar si “rrezik i lartë për manipulim dhe keqpërdorim financiar”.

Shifrat tregojnë një rritje të vazhdueshme: nga rreth 8 mijë euro në vit gjatë 2019–2020, në 29 mijë euro në 2021, mbi 62 mijë euro në 2022 dhe deri në 67,989 euro në vitin 2023.

Në shumicën e rasteve, për këto pagesa nuk ekziston asnjë faturë, raport shpenzimi apo dëshmi mbështetëse.

Në faqet 13 dhe 14 të raportit theksohet se shpenzimet për udhëtime nuk janë arsyetuar me fatura akomodimi apo dokumente të shpenzimeve jashtë vendit, ndërsa edhe shpenzimet për marketing dhe servisim janë justifikuar pa dokumentacion përkatës.

Paratë, sipas raportit, janë arsyetuar me përshkrime të përgjithshme si “reprezentacion”, “udhëtime” apo “marketing”, por pa gjurmueshmëri financiare.

Pikërisht në këtë pikë ngrihet dyshimi për funksionimin e një skeme të mundshme “cash-back”.

Sipas burimeve të Insajderit, paratë fillimisht transferoheshin në llogari të punonjësve, më pas tërhiqeshin në cash, ndërsa një pjesë e tyre dyshohet se rikthehej te nivelet e larta drejtuese, duke krijuar një qark të mbyllur financiar jashtë kontrollit institucional.

Në komunikimet e siguruara nga Insajderi, për të cilat BKS dhe BQK nuk kanë kthyer përgjigje që nga 30 marsi i këtij viti, përmendet se për këtë praktikë ka qenë në dijeni edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit, Shefik Gërbovci, që e mori këtë post fill pasi dha dorëheqje Sami Mazreku.

Në një prej komunikimeve thuhet se ai ka pritur në veturë një punonjës të BKS-së gjatë kohës që ky i fundit tërhiqte në bankë paratë në cash, të cilat i ishin transferuar përveç pagës, dhe më pas kanë udhëtuar së bashku drejt Selanikut.

Por parregullsitë nuk ndalen këtu.

Raporti i auditimit evidenton një kaos të plotë buxhetor: tejkalime deri në 475% në mirëmbajtje, 425% në udhëtime zyrtare, 240% në shërbime IT dhe 130% në marketing.

Në disa raste, udhëtimet zyrtare nuk shoqërohen me asnjë dëshmi akomodimi, ndërsa në sektorin e teknologjisë janë paguar shërbime pa çmime të përcaktuara në kontratë.

Madje, sipas raportit, një softuer i ri për kontabilitet është blerë dhe mirëmbajtur, por nuk është përdorur asnjëherë.

Në faqen 28 të raportit thuhet se softueri është blerë për nevojat e kontabilitetit dhe për të janë paguar rregullisht fatura mirëmbajtjeje, por ai “nuk është futur asnjëherë në përdorim nga Departamenti i Financave”, ndërsa stafi ka vazhduar të përdorë sistemet ekzistuese.

Edhe më shqetësuese, sipas auditorit, është fakti se pajisje të blera me mjete publike nuk gjenden fizikisht në inventarin e institucionit.

Krejt kjo ndodh në një ambient ku kontrollet e brendshme vlerësohen si “në nivel jo të kënaqshëm” dhe ku mungon llogaridhënia bazike financiare.

Megjithatë, pavarësisht këtyre gjetjeve, dokumentet tregojnë se Banka Qendrore e Kosovës ka qenë në dijeni të raportit që nga dhjetori i vitit 2024.

Në një përgjigje për Insajderin, BQK pati deklaruar se ka ndërmarrë veprime brenda mandatit të saj përmes ekzaminimeve, rekomandimeve dhe masave korrigjuese administrative.

Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), përfshirë hetimet mbi skemën e dëmeve të fryra të aksidenteve që çuan në arrestime të shumta në fillim të vitit 2026. Në hulumtimet e tij, gazeta ka zbuluar parregullsi në menaxhimin financiar, mungesë kontrolli mbi shpenzimet dhe dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. Ky seri raportimesh ka ekspozuar një model të vazhdueshëm të dështimit të mbikëqyrjes institucionale brenda këtij institucioni. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark