Insajderi
Analiza

Rënia e Sami Mazrekut – Si u mbrojt me heshtje nga PSRK dhe si u fundos nga një Auditim i Brendshëm

Insajderi
09 January 2026 - 16:00
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Rënia e Sami Mazrekut – Si u mbrojt me heshtje nga PSRK dhe si u fundos nga një Auditim i Brendshëm
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një hetim që Policia e përfundoi në vitin 2024, por që Prokuroria Speciale e la në sirtar, rikthehet në qendër me arrestimin e ish-drejtorit të BKS-së, pasi një auditim i brendshëm zbuloi transaksione milionëshe, pagesa kundër vendimeve të Gjykatës Supreme dhe një sistem të tërë të toleruar për vite me radhë. Insajderi sjell intervistimin e plotë të Sami Mazrekut në hetimi që Prokuroria Speciale, Ilirjana Çollaku-Tafa e pati mbyllur

Visar Duriqi

Ajo që Policia e Kosovës e kishte dokumentuar me saktësi kirurgjike në prill të vitit 2024, u desh të priste janarin e vitit 2026 për t’u shndërruar në pranga. Arrestimi i djeshëm i Sami Mazrekut, ish-Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), ka hapur “kutinë e Pandorës” së një sistemi sigurimesh që për një dekadë u lëngua nën hije të dyshimta zhdëmtimesh dhe transaksionesh fiktive.

Ky raportim zbardh procesverbalin e plotë të dëshmisë së Mazrekut, ku ai tentoi të arsyetonte lëvizjet milionëshe para hetuesve në një hetim që Prokuroria Speciale (PSRK) fillimisht zgjodhi ta linte pa epilog, duke u mjaftuar me “mbylljen” e rasteve të ngjashme si ai i vitit 2011.

Precedenti i “Amnistisë”: Nga viti 2011 te dështimi i PSRK-së

Historia e BKS-së nuk mund të kuptohet pa aferën e vitit 2011, ku një dëm prej afro 300 mijë eurosh u pagua në rrethana që tronditën industrinë. Siç ka raportuar Insajderi.org, ky rast u mbyll nga Prokuroria Speciale me një mungesë totale transparence. Kjo mbyllje duket se shërbeu si “manual” për Sami Mazrekun.

Edhe kur Policia e Kosovës, në prill të vitit 2024, mblodhi prova të reja për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” (Neni 414 i KPRK-se), PSRK-ja sërish nuk lëvizi drejt një aktakuze. U desh një Raport i Brendshëm i Auditimit i vitit 2025, që detajoi 166 transaksione të dyshimta, që Prokuroria e Prizrenit të merrte guximin të godiste atë që Prishtina e kishte toleruar.

Intervistimi në Polici: Monopoli mbi financat

Më 23 prill 2024, në ora 09:05, Sami Mazreku u ul para hetuesve. Policia kishte zbuluar se Mazreku kishte arritur të bëhej autorizuesi i vetëm i llogarive ku qarkullonin miliona euro të qytetarëve.

I pyetur për autorizimet bankare në tri llogari specifike, Mazreku u përgjigj:

“Unë kam qenë Drejtor Ekzekutiv i BKS-së dhe autorizimet i kam pasur në bazë të vendimit të Këshillit Administrativ për emërimin tim si Drejtor Ekzekutiv dhe si përfaqësues i BKS-së”.

Kur hetuesi e shtyu më tej, duke e pyetur nëse kishte një vendim specifik që e linte atë si personin e vetëm me qasje (pa nënshkrimin e dytë), Mazreku pranoi:

“Unë si drejtor i kam pasur autorizimet për të gjitha llogaritë e BKS-së… Nuk jam i sigurt a ka pasur ndonjë vendim specifik për këto tri llogari, por ato kanë qenë në kuadër të autorizimeve të përgjithshme.”

Ky monopol mbi llogaritë dyshohet se i hapi rrugë dëmit prej 1.3 milionë eurosh që u zbulua më vonë nga auditimi.

Sfidimi i Gjykatës Supreme: Rasti “Mentor Lipaj”

Një nga pikat më komprometuese të dëshmisë ishte pagesa shtesë prejafro  200,000 eurosh për Mentor Lipajn, e bërë në gusht të vitit 2021 përmes një marrëveshjeje jashtëgjyqësore. Policia e ballafaqoi Mazrekun me faktin se ekzistonte një Aktgjykim i Gjykatës Supreme (Rev.nr.93/2019) që i jepte të drejtë BKS-së.

Hetuesi: Pse u bë marrëveshja kur Gjykata Supreme e kishte rrëzuar kërkesën e tyre?

Mazreku: “Unë nuk kam qenë në dijeni se ekziston një Aktgjykim i Gjykatës Supreme për këtë rast. Marrëveshja është bërë me qëllim të ekonomizimit dhe kursimit të mjeteve të BKS-së, pasi rasti ka qenë i vjetër dhe kamatat mund të arrinin shuma të mëdha deri në 500,000 euro”.

Kjo deklaratë, e dhënë në para Policisë, sot konsiderohet si prova kryesore e keqbesimit. Si mundet një jurist dhe Drejtor Ekzekutiv të nënshkruajë 200 mijë euro pa kontrolluar statusin e lëndës në Gjykatën Supreme?

Më 06 gusht 2021, Mazreku kryesoi mbledhjen e Departamentit Juridik dhe Procesverbali si dokument u regjistrua me shifrën Nr. 914/21. Në këtë mbledhje u arrit marrëveshja me avokatin e Lipajt.

Në fund të mbledhjes, Mazreku urdhëron shpejtësinë e veprimit: “z.Sami Mazreku e uron avokatin për marrëveshje si dhe thirr z.Bashkim Vitija që në prani të avokatit nënshkruar transferin e mjeteve,” në llogarinë e avokatit (avokatit të Lipajt).

Marrëveshja mes BKS dhe Lipajt ishte nënshkruar nga Faik Sylejmani me bekimin e Sami Mazrekut.

Dokumentet konfirmojnë se pagesa u bë në atë mënyrë ku “nuk është kërkuar nga përfaqësuesi i Byrosë verifikimi i të ardhurave, duke e lënë fondin e BKS-së të ekspozuar ndaj një zhdëmtimi pa baza të plota ligjore dhe faktike”.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm stafi i lartë juridik i BKS-së, si Mimoza Kllokoqi, Diellza Sinani, Olumbie Haliti, Leonora Recaj, Ibadete Kozmaqi, Labinota Vllasaliu, Bekim Korça, Arlind Haziri, Yll Hasani, dhe Krenare Robelli, të cilët dëshmuan miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Hetimi i rastit u fokusua te pagesa e madhe dhe dështimi i zyrtarëve të BKS-së për të bërë auditimin vjetor të lëndës së rentës (Neni 16 i Rregullores). Policia e Kosovës e etiketoi rastin si një prej mashtrimeve më të rënda. Kjo bëri që lënda të regjistrohej në Prokurorinë Speciale si PPN.nr.109/2022.

Për të sqaruar bazat ligjore dhe procedurale të pagesës së dyshimtë, Policia intervistoi ish-drejtorët e departamenteve kyçe, Faik Sylejmanin atë kohë Drejtori i Departamentit Juridik dhe Valmir Rexhën, në atë periudhe Drejtori i Departamentit të Dëmeve.

Prokuroria, duke analizuar historikun gjyqësor, theksoi arsyetimin e BKS-së se vendimi ishte marrë për të minimizuar dëmin. Aktuarët e BKS-së kishin vlerësuar se, në rast të humbjes së plotë gjyqësore, shuma totale që BKS-ja rrezikonte të paguante vetëm për Mentor Lipajn mund të shkonte rreth 1,229,355.50 Euro.

PSRK e pranoi këtë si argument kryesor, duke konkluduar se menaxhmenti veproi me qëllim të minimizohet dëmi potencial, dhe se nuk është gjetur asnjë provë që tregon se ka pasur veprim me qëllim përfitimi personal apo dëmtimi të institucionit. Rrjedhimisht, pagesa e dyshimtë u justifikua si një veprim i thjeshtë i menaxhimit të rrezikut financiar, duke mos plotësuar elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.”

 “Bonusi” prej 25,000 euro dhe mungesa e procesverbalit

Policia gjithashtu hetoi një transfer prej 25,000 eurosh neto që Mazreku kishte marrë nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës (SHSK).

Hetuesi: Në bazë të cilit dokument e keni marrë këtë shpërblim?

Mazreku:”Ky shpërblim më është dhënë nga Kuvendi i Shoqatës së Sigurimeve për suksesin e arritur në anulimin e një neni të ligjit për Kryqin e Kuq, proces ky që i ka kursyer sektorit rreth 10 milionë euro.”

Megjithatë, kur Policia i kërkoi procesverbalin e mbledhjes ku u vendos kjo shumë, Mazreku u përgjigj flou: “Si mbledhje është mbajtur, por nuk jam i sigurt a është përpiluar procesverbal specifik për këtë pikë“.

Ky “shperblim” pa bazë dokumentare ishte një tjetër sinjal që Policia e regjistroi, por që PSRK-ja zgjodhi ta injoronte deri në arrestimin e djeshëm.

Pasuria në Veternik dhe “huazimet” nga Venhar Hana

Një pjesë e madhe e marrjes në pyetje u fokusua në pasurinë marramendëse të Mazrekut dhe transaksionet në llogarinë e tij personale në NLB Bankë. Policia listoi blerjen e parcelave në Veternik dhe transfere të dyshimta.

I pyetur për lidhjen me Venhar Hanën, Mazreku deklaroi:

“Venhar Hanën e kam shok që nga koha e studimeve. Transaksionet që kanë ndodhur mes nesh janë kryesisht huazime për blerje të tokave dhe kthime borxhesh”.

Për shumën prej 260,000 eurove të pranuar në maj 2021 me përshkrimin “shuma e shpërndarë”, ai u përgjigj:

“Ato kanë qenë mjete që kanë rrjedhur nga shitblerjet e pronave dhe huazimet që i kam pasur me personat e përmendur. Po, të gjitha transaksionet janë të rregullta”.

Policia listoi edhe kthime borxhesh prej 31,000 eurosh ndaj Sejdi Mazrekut dhe Shkelzen Sylajt, duke ndërtuar një profil financiar që tejkalonte çdo pagë zyrtare.

Gabimet “teknike” me Policat e Diasporës

Gjatë kohës kur Qeveria mbulonte policat kufitare për diasporën, BKS-ja dyshohet se vazhdonte t’u merrte para qytetarëve. Mazreku para policisë e quajti këtë dështim teknologjik:

“Ka pasur raste kur për shkak të problemeve teknike në sistem, pikat kufitare kanë arkëtuar mjete edhe pse polica duhej të ishte falas. Por, sapo janë identifikuar, mjetet u janë kthyer qytetarëve brenda 48 orëve”.

Auditimi i vitit 2025, i cili shërbeu si shkëndijë për arrestimin e djeshëm, e hodhi poshtë këtë version, duke vërtetuar se arkëtimet ishin të qëllimshme dhe mjetet nuk ishin kthyer plotësisht.

Përfundimi: Kur Auditimi mposht “heshtjen” e PSRK-së

Arrestimi i djeshëm i Sami Mazrekut dhe 39 të tjerëve është dëshmia më e mirë se drejtësia mund të vonojë, por dokumentet mbeten. Policia e Kosovës e kreu punën e saj në vitin 2024, duke nxjerrë në pah çdo citat që u përdor në këtë artikull.

Dështimi i Prokurorisë Speciale për të vepruar pas dëshmisë së prillit 2024, duke u mjaftuar me precedentin e mbylljes së rastit të vitit 2011, mbetet një njollë e zezë. Sot, falë një raporti guximshëm të auditimit dhe veprimit të Prokurorisë në Prizren, Sami Mazreku nuk është më një “dëshmitar” që arsyeton gabimet teknike, por njeriu kryesor i akuzuar për shkatërrimin financiar të BKS-së.

Fakte kyçe nga dëshmia e Mazrekut (23.04.2024):

Llogaritë: I autorizuar i vetëm në 3 llogari pa vendim specifik.

Zhdëmtimi Lipaj: 200,000€ të paguara kundër vendimit të Gjykatës Supreme.

Bonus: 25,000€ pa procesverbal zyrtar.

Pasuria: Transaksione mbi 260,000€ në llogari personale brenda një muaji.

Arsyetimi: “Nuk kam qenë në dijeni”, “Gabim teknik”, “Huazim nga shokët”.

Më poshtë është intervista e plotë e dhënë në polici nga Sami Mazreku, atëherë si dëshmitar:

Data: 23.04.2024

Dëshmitari: Sami Mazreku

Të dhënat personale dhe karriera

Hetuesi: Mund të na tregoni për përvojën tuaj të punës dhe pozitat që keni mbajtur në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS)?

Mazreku: “Në BKS kam filluar punën si Drejtor Ekzekutiv nga marsi i vitit 2021 dhe kam qëndruar në këtë pozitë deri në janar të vitit 2024, kur kam dhënë dorëheqje. Para kësaj, kam punuar në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës (SHSK) si Drejtor i Shoqatës dhe kam pasur përvojë të gjatë në sektorin e sigurimeve si jurist i diplomuar.”

Hetuesi: Cilat kanë qenë autorizimet tuaja si Drejtor Ekzekutiv në raport me mjetet financiare dhe llogaritë bankare?

Mazreku: “Unë si Drejtor Ekzekutiv i BKS-së kam pasur autorizimet për të përfaqësuar Byronë dhe për të menaxhuar operacionet e saj ditore, gjithmonë në përputhje me vendimet e Këshillit Administrativ.”

Hetuesi: Policia ka identifikuar se në tri llogari bankare të BKS-së (me mbarim në *681, *415 dhe *166), ju keni qenë i autorizuar i vetëm. Pse ka ndodhur kjo dhe a ka pasur vendim specifik?

Mazreku: “Unë i kam pasur autorizimet për të gjitha llogaritë e BKS-së në bazë të emërimit tim si Drejtor Ekzekutiv. Nuk jam i sigurt a ka pasur ndonjë vendim specifik për këto tri llogari që i përmendët, por mund të them se çdo transfer është nënshkruar edhe nga Drejtori Financiar, përveç rasteve teknike.”

Hetuesi: A jeni në dijeni se në sistemin bankar figuroni si i vetmi person me qasje ekzekutive në ato llogari?

Mazreku: “Autorizimet janë bërë përmes vendimeve të përgjithshme. Nëse në bankë figuron ashtu, kjo mund të jetë çështje e procedurave të bankës, por unë insistoj se vendimmarrja ka qenë kolektive.”

Hetuesi: Pse BKS ka paguar shumën prej 200,000 euro për Mentor Lipajn dhe 20,000 euro për Niman Muzlijajn si marrëveshje jashtëgjyqësore në gusht 2021?

Mazreku: “Qëllimi i lidhjes së këtyre marrëveshjeve ka qenë ekonomizimi i procedurës dhe kursimi i mjeteve të BKS-së. Duke parë se lënda ishte e vjetër dhe kamatat po rriteshin, kemi vlerësuar se kjo ishte zgjidhja më e mirë për institucionin.”

Hetuesi: A jeni në dijeni se për këtë rast ekzistonte Aktgjykimi i Gjykatës Supreme (Rev.nr.93/2019), i cili e kishte liruar BKS-në nga çdo obligim pagese?

Mazreku: “Unë nuk kam qenë në dijeni se ekziston një Aktgjykim i Gjykatës Supreme për këtë rast. Po ta kisha ditur, natyrisht që nuk do të ishte nënshkruar marrëveshja. Ne jemi bazuar në vlerësimet e departamentit ligjor.”

Hetuesi: Si është e mundur që një drejtor ekzekutiv, jurist me përvojë, të nënshkruajë një marrëveshje 200 mijë euroshe pa e verifikuar statusin final të lëndës në Gjykatën Supreme?

Mazreku: “Siç thashë, unë i kam nënshkruar ato dokumente që më kanë ardhur nga zyra ligjore. Ne kemi pasur qindra lëndë dhe nuk kam mundur t’i verifikoj personalisht të gjitha detajet e secilës.”

Hetuesi: Gjatë vitit 2019, keni pranuar një shumë prej 25,000 euro neto si shpërblim nga Shoqata e Sigurimeve. Ku u bazua kjo pagesë?

Mazreku: “Ky shpërblim më është dhënë për suksesin në anulimin e një neni të ligjit për Kryqin e Kuq. Ky proces i ka kursyer sektorit të sigurimeve rreth 10 milionë euro dhe Kuvendi i Shoqatës ka vendosur të më shpërblejë.”

Hetuesi: Ku është procesverbali i mbledhjes ku është marrë ky vendim? Policia nuk e ka gjetur atë.

Mazreku: “Po si mbledhje është mbajtur, por nuk jam i sigurt a është përpiluar procesverbal specifik për këtë pikë apo është diskutuar në kuadër të pikave të tjera.”

Hetuesi: Pse në pikat kufitare janë arkëtuar para nga diaspora për policat që subvencionoheshin nga Qeveria në vitet 2020-2021?

Mazreku: “Ky ka qenë një problem teknik. Sistemi në disa pika kufitare nuk është përditësuar me kohë dhe POS terminalet kanë arkëtuar mjetet automatikisht. Mirëpo, ne i kemi identifikuar këto raste dhe mjetet u janë kthyer qytetarëve brenda 48 orëve.”

Hetuesi: Policia ka vërejtur transaksione të mëdha në llogarinë tuaj personale në NLB. Më 17.05.2021 keni pranuar 260,000 euro me përshkrimin “shuma e shpërndarë”. Çfarë mjetesh janë këto?

Mazreku: “Ato kanë qenë mjete që kanë rrjedhur nga shitblerjet e pronave dhe huazimet që i kam pasur me personat e përmendur. Po, të gjitha transaksionet janë të rregullta.”

Hetuesi: Keni pasur transaksione të shpeshta me Venhar Hanën. Cila është lidhja juaj me të?

Mazreku: “Jemi shokë që nga koha e studimeve. Me të kemi pasur marrëdhënie private, huazime për blerje të tokave në Veternik dhe kthime të borxheve.”

Hetuesi: Keni paguar 250,000 euro për blerje të shtëpisë dhe keni marrë huazime prej 60,000 euro dhe 94,000 euro nga persona të tretë. A janë këto të deklaruara?

Mazreku: “Gjithçka është e dokumentuar përmes bankës. Këto kanë qenë marrëdhënie private obligative që nuk kanë lidhje me pozitën time në BKS.”

Hetuesi: A keni diçka tjetër për të shtuar?

Mazreku: “Jo, nuk kam asgjë tjetër. Çdo gjë që kam bërë ka qenë në interes të institucionit dhe në përputhje me vendimet e organeve drejtuese.”

Përfundimi: Intervistimi përfundoi në ora 12:10.

Lexo edhe:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark