
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kërkuar nga Shërbimi Spitalor i Klinikës Universitare të Kosovës që të mos përdorë kushte diskriminuese në konkurse për staf.
KDI vlerëson se një konkurs i shpallur për plotësimin e 11 pozitave në QKUK, i bazuar në ligjin për buxhetin, i cili ligj e ka kufizuar SHSKUK-në në pranimin e asistentëve të rregullt të Fakultetit të Mjekësisë në punë si specialist duke lënë anash specialistët e lëmive të njëjta e të cilët nuk janë asistentë në Fakultetin e Mjekësisë.
KDI konsideron se Kuvendi i Kosovës gjatë miratimit të ligjit për Buxhetin ka bërë shkelje të ligjeve të veçanta, përkatësisht Ligjin e Punës nenin 5 të këtij ligji, duke diskriminuar specialistët në lëmit përkatëse.
“Në Shërbimin për Këshilla Ligjore për viktima dhe denoncues të korrupsionit në KDI, janë paraqitur mjekët specialistë ku ndër të tjera kanë kërkuar publikimin e shkeljes që iu është bërë atyre. Për t’i përgatitur këta specialist, Ministria e Shëndetësisë dikur ju kishte paguar specializimin, ndërsa tani ata mbeten pa punë të rregullt edhe pse shteti ka investuar taksat tona në shkollimin e tyre”, vlerëson KDI.
“Me këtë SHSKUK do të mundësonte qasje të barabartë të gjithë specialistët të lëmive përkatëse, përfshirë edhe asistentët e rregullt”, ka thënë Majlinda Kurti nga KDI.
Kurse, Dr. Arben Ademi, kirurg i përgjithshëm tha se diskriminim është që kemi mbetur pa punë për vite të tëra me gjithë shkollimin që kemi. Afër 100 specialistë janë në situatë të ngjashme.
KDI i bënë thirrje publike që kur bëhet rishikimi i buxhetit të parashihen vende të punës në QKUK për specialistët që mund të punojnë vetëm në këtë institucion, si dhe vende të punës për specialist të tjerë në spitalet rajonale.