Insajderi
Analiza

Pas raportimit të Gazetës Insajderi, Komuna e Prishtinës eliminon nga tenderi milionësh kompaninë turke dhe biznesmenin e afërt me VV’në nën dyshime për falsifikim

Insajderi
30 April 2026 - 13:10
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Pas raportimit të Gazetës Insajderi, Komuna e Prishtinës eliminon nga tenderi milionësh kompaninë turke dhe biznesmenin e afërt me VV’në nën dyshime për falsifikim
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që ta skualifikojë nga tenderi milionësh për mirëmbajtjen e lumenjve dhe kanalizimeve konserciumin MAVI Deniz dhe EING COM SHPK, kompani kjo në pronësi të Eljesah Podvoricës, të afërmit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në një vendim të Komunës së Prishtinës, në formë të shënimit me rëndësi, specifikohet se dokumenti i prezantuar për TVSH-në nga kompania turke MAVI Deniz nuk përputhet me të dhënat zyrtare, raporton Gazeta Insajderi.

“Gjatë vlerësimit të Dosjës së Tenderit, kërkesa e përshtatshmerisë pika e 2) Vërtetim nga Administrata Tatimore – është konstatuar dyshime i arsyeshme lidhur me autenticitetin dhe vlefshmërinë juridike të paraqitur me titull: “Income Tax and Vat Clearance Certificate 2025 – Mavi Deniz (Final)”. Për këtë arsye, Komisioni i vlerësimit ka kërkuar verifikim zyrtar përmes e-mailit (datë 21 prill 2026) nga Administrata Tatimore e Republikës së Turqisë. Në përgjigjen e pranuar po në të njëjtën datë, është konfirmuar se dokumenti i paraqitur nuk përputhet me të dhënat zyrtare të sistemit të verifikimit“, thuhet në vendimin e komunës.

Gazeta Insajderi raportoi para një jave për dokumentin në fjalë, saktësia dhe vërtetësia e të cilit ngelej e dyshimtë.

Gazeta Insajderi fillimisht Komunës së Prishtinës përmes qasjes në dokumente publike, duke kërkuar certifikatën e tatimit mbi të ardhurat dhe të dalat e MAVI Deniz, si dhe komunikimet me të. Kjo kompani e garoi në konsercium me EING COM SHPK. Megjithatë, nga komuna refuzuan kërkesën, duke thënë se procedura tenderuese është ende në fazën e rishqyrtimit.

“Sektori i Prokurimit ju njofton se deri ne Vendimin (B08, B09 dhe B10), kur edhe konsiderohet i mbyllur aktiviteti i prokurimit atëherë mund të ofrohet qasja për palët e interesuara“, u tha në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Megjithatë, Gazeta Insajderi arriti ta sigurojë këtë dokument. Në dokumentin e certifikatës tatimore të lëshuar nga autoritetet turke që konserciumi “MAVI Deniz & EING COM SHPK” kanë prezantuar në ofertim të tenderit, data e dokumentit figuron 22/04/2025.

“Që nga data 22/04/2025, tatimpaguesi, informacioni i të cilit jepet më poshtë, është i detyruar të paguajë brenda fushëveprimit të Nenit 22/A të Ligjit Nr. 6183. Nga shqyrtimi i të dhënave tona është kuptuar se nuk ka borxhe të kaluara“, thuhet në dokumentin që konserciumi ka prezantuar pranë Komunës së Prishtinës, të cilin e ka siguruar Insajderi.

Përmes një verifikimi që Gazeta Insajderi ia ka bërë këtij dokumenti në platformën zyrtare të Republikës së Turqisë, ka marrë vesh se ky dokument është lëshuar më 18/01/2024.

“Që nga data 22/04/2025, tatimpaguesi, informacioni i të cilit jepet më poshtë, është i detyruar të paguajë brenda fushëveprimit të Nenit 22/A të Ligjit Nr. 6183. Nga shqyrtimi i të dhënave tona është kuptuar se nuk ka borxhe të kaluara“, thuhet në sistemin elektronik të Turqisë.

Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje kompanisë MAVI Deniz për një sqarim të këtij dokumenti, megjithatë deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.

Eljesah Podvorica dhe drejtori i kompanisë turke, Ali Altuntor, në dosjen e tenderit kanë siguruar deklaratën nën betim, e cila specifikon edhe mundësinë e sanksioneve penale.

Kenan Gashi, ekspert i prokurimit publik, në një prononcim për Gazetën Insajderi ka bërë të ditur se kanë përpiluar një raport për këtë tender, përmes të cilit konsiderojnë se ky grup i operatorëve ekonomikë mund të kenë mashtruar Komunën e Prishtinës.

“AVONET konsideron se Grupi i Operatorëve Ekonomikë EING COM SH.P.K.; MAVI DENIZ ÇEVRE HIZMETLERI A.Ş., dhe përfaqësuesit e tyre, përmes veprimeve të sipërpërmendura, mund të kenë mashtruar Autoritetin Kontraktues, duke nënshkruar deklarata nën betim dhe duke dorëzuar dokumentacion që nuk përputhet me gjendjen faktike, duke shkelur kështu dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thotë Gashi nga organizata jo-qeveritare AVONET.

“Kërkojmë nga Komuna e Prishtinës që të verifikojë në mënyrë të plotë dhe të paanshme gjetjet e këtij hulumtimi dhe të ndërmarrë masa konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë referimin e rastit tek organet kompetente të ndjekjes penale, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e interesit publik”, shtoi më tej ai.

Fillimisht, Komuna e Prishtinës me kontratë prej 1,9 milion eurove e kishte shpërblyer grupin e operatorëve ekonomikë “Diga Solutions L.L.C, Construction SHPK dhe Industria Metalike e Kosovës“, duke e vlerësuar si ofertën e vetme të përgjegjshme.

Lidhur me këtë konsercium, ankesë fillimisht në Komunën e Prishtinës kishte parashtruar kompania e biznesmenit Eljesah Podvorica. Megjithatë, ankesa ishte refuzuar nga Zyra e Prokurimit të kësaj komune.

Të njëjtat ankesa EING COM SHPK i kishte adresuar në Gjykatën e Tenderëve. Organi Shqyrtues i Prokurimit i dha të drejtë kompanisë së biznesmenit Podvorica, duke obliguar Komunën e Prishtinës që ta pezullojë aktivitetin e prokurimit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark